Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari – Lila, i kërkon Serbisë të largojë kamionët nga kufiri, pasi nuk do të lejohen të kalojnë në Kosovë.

Gjatë së premtes ajo ripërsëriti vendosmërinë se masat reciproke do të vazhdojnë derisa Serbia të pranojë vulat doganore të Kosovës.

“Do bëjmë cdo gjë që situata të jetë nën kontroll, që të mos ketë tensione ndëretnike. Ky vendim synon rikthimin në dialog dhe pranimin e vulave doganore të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Lila.

Madje, ministrja paralajmëroi mundësinë e marrjes së masave te reja nëse sic përflitet, mallrat serbe do të mundohen të kalojnë përmes Maqedonisë.

Kjo nuk është e ndaluar tani për tani, pasi kështu edhe prodhuesit nga Kosova mund të shesin mallrat e tyre në Serbi.

Por, në rast se vërehet fluks në kufirin me Maqedoninë, atëherë do të shikohet se çfarë do të jenë masat e ardhshme për mallrat e tilla, me origjinë serbe.

“Do ta shikojmë fluksin, nëse shohim një rritje të madhe do të shikojmë masat, gjithmonë në arritjen e një efekti për të arritur një marrëveshje për njohjen reciproke të vulave”, ka nënvizuar Lila.

Sipas informacioneve, radhët e gjata vazhdojnë ende në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa sipas zëdhënësit të doganava, Adriatik Stavileci, situata është nën kontroll.

Top Channel