Shtrëngimet financiare në Greqi, prekin si qytetarët grekë, ashtu edhe emigrantët e huaj dhe kryesisht ata shqiptarë.

Për këtë arsye, qeveria greke po planifikon masa lehtësuese sidomos në drejtim të integrimit të tyre. Duke cituar gazetën “Tribuna” që del në Athinë në gjuhën shqipe, “Zëri i Amerikës” thotë se paketa e re e masave përfshin krijimin e një baze të dhënash të unifikuar për emigrantët, mbi të cilin do të bazohen procedurat administrative që lidhen me qëndrimin, nënshtetësinë, situatën urbane dhe sidomos “kartën e emigrantit”.

Pjesë e paketës është edhe përmirësimi i kuadrit ligjor për marrjen në punë të emigrantëve nënshtruar legjislacionit në vendet e Bashkimit Europian. Masat e qeverisë greke vijnë në një kohë kur komuniteti i shqiptarëve në Greqi përballet me mjaft vështirësi, sidomos në humbjen e vendeve të punës, rënien e qarkullimit tregtar, veçanërisht të biznesve të vogla të emigrantëve, si dhe pasigurive financiare.

Shumë prej shqiptarëve që kanë vite që kanë emigruar, megjithëse janë në vështirësi për të siguruar punë, tani e kanë të vështirë të kthehen në Shqipëri për shkak të integrimit të fëmijëve në sistemin arsimor grek.

Top Channel