“Gjobë” 1 milion euro

21/07/2011 20:50

“Familja e Ledit dhe Vlashit. Nesër në orën 24, nuk i prune 1 milion euro, kokën e Xhuljos do ta bi aty ku të kam pru letrën dhe lëvizja më e vogël, do të largohem nga vendngjarja dhe dije se familjen e ke të vrarë. Në rast se nuk e don familjen … mos i bje”.

Përmes kësaj letre 20-vjecari Erjan Vrioni ka menduar të shtjerë në dorë një shumë të majme parash, por tashmë duhet të përballet në gjykatë me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie.

I riu me arsim vetëm tetë klasë, nga fshati Katund i Ri, Sukth i Durrësit, pas masës së arrestit ndaj tij i është nënshtruar gjykimit në gjendje të lirë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Kjo, pasi sipas akuzës dhe gjykatës ai nuk paraqet rrezikshmëri dhe se kur ka shkruar këtë letër kërcënuese me motiv gjobëvënien, ai nuk ka marrë hapa të tjerë duke vepruar në adresë të biznesmenit durrsak L.M.

Amatorizmi i një njeriu që ka tentuar të futet në botën e krimit në mënyrë të bujshme ka bërë që ai letrën që shërben si prova e akuzës, e ka shkruar me dorë, gjë e cila nuk ka qenë e vështirë për hetuesit të verifikohej.

Madje, ai ka vënë në letër edhe numrin e telefonit ku biznesmeni duhej të kontaktonte për t’i dorëzuar shumën e konsiderueshme prej një milion eurosh.

Por nga ana e tij 20-vjecari Vrioni nuk e ka pranuar asnjëherë që është ai autor i kësaj letre, e cila në fakt është me shkrim dore dhe e depozituar në fashikujt e gjykatës.

Megjithatë, prokuroria pretendon se pas dyshimeve dhe verifikimi të numrit të telefonit që Erjan Vrioni i kishte lënë poshtë derës biznesmenit, këmbëngul se është pikërisht ai gjobëvënësi.

Për këtë, pas dyshimeve paraprake 20-vjecari është thirrur në prokurori dhe pasi i është dhënë një letër e bardhe i është thënë qe ai të shkruante.

Pas kësaj prokurorët kanë krahasuar shkrimet në të dyja letrat duke evidentuar ngjashmëri mes tyre. Në shtator, gjashtë persona do të dëshmojnë të thirrur nga prokuroria për këtë cështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA