Ndërtuesit: 120 dosje presin firmën e Bashës

20/07/2011 08:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka të pamundur ta zgjidhë vetë procesin e zhbllokimit të hipotekave për pallatet në Tiranë, pasi në lojë janë edhe institucionet e tjera, si Zyra e Regjistrimit dhe Tatimet.

Ajo çfarë i mbetet kryebashkiakut të ri lidhet me lejet e shfrytëzimit,
për të cilat ndërtuesit kanë shpresa të mëdha se do të marrin zgjidhje.

Ligji i veçantë

“Procesi nuk duket dhe aq i thjeshtë për t’u zgjidhur. Dhënia fund e burokracive dhe zhbllokimi i hipotekës kërkon ndryshime ligjore, që nuk janë në dorë të kreut të bashkisë, por të Kuvendit. Ne kemi bërë disa propozime dhe presim mbledhjen e Kuvendit në shtator”, thotë për “Shqip”, nëndrejtori ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare të Ndërtuesve, Ilir Hebovija. Sipas tij, aktualisht në Bashkinë e Tiranës ndodhen rreth 120 dosje që presin firmën e Bashës sa i takon lejes së shfrytëzimit, në mënyrë që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të japë ‘Ok’ për certifikatën.

Të paktën për Tiranën llogariten rreth 400 pallate që nuk janë të regjistruar te zyrat e pronave dhe për të cilat, shteti nuk ka mundur të vjelë detyrimet. “Askujt nuk i intereson që pronat të jenë të bllokuara, as vetë shtetit, pasi humbet miliona lekë nga taksat. Nuk kërkojmë gjë tjetër, veçse një ndryshim të ligjit për ta bërë procedurën më të lehtë sa i takon hipotekimit”, deklaron për “Shqip”, Maksim Muçaj, kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, i cili po merret posaçërisht me këtë çështje, duke negociuar me financat.

Premtimet e kryetarit

Vëmendja e ndërtuesve të Tiranës është drejtuar për te kryetari i ri, i cili para zgjedhjeve deklaroi se situata do të niste të merrte zgjidhje në muajin tetor të këtij viti. Madje Basha kishte krijuar ekipin e tij, hartuar skemën dhe mendonte sesi duhet ndryshuar ligji.

Kryetari i bashkisë gjykon se problemet me bllokimin e pallateve janë të shumta, por lehtësisht të zgjidhshme në masën 90 për qind prej tyre. Për ekonominë e kryeqytetit, ngërçi i ndërtimeve ka shkaktuar deri në 700 milionë euro efekt negativ të gjithanshëm, përfshi edhe arkën e shtetit. Mendohet se janë rreth 60 mijë dosje që nuk marrin dot hipotekën, për të cilat Basha ka premtuar se do t’i japë zgjidhje shumë shpejt, por nga ana tjetër ka pranuar se procesi duhet shqyrtuar me kujdes, me një grup pune të përbashkët. “Bashkia një për një, por me një sistem të shpejtë, në një kohë fare të shkurtër, të shqyrtojë të gjitha rastet. Së pari, të zhbllokojë të gjitha rastet që nuk kanë asnjë problem ligjor, apo gjyqësor për të marrë hipotekat. Do të analizohet pse ka ndodhur ky bllokim. Duhet të hartohen disa akte nënligjore që të mos ndodhë më ky problem”, është shprehur Basha para se të merrte mandatin. Sipas tij, amnistia fiskale e miratuar nga mazhoranxa zgjidh dhe problemin e detyrimeve financiare. Këtë fakt e pranojnë edhe vetë ndërtuesit, por ata shtojnë se, nëse nuk rishikohet ligji, sërish do të ketë probleme.

Dyfishimi i lejeve

Lejet e ndërtimit të dhëna në Shqipëri gjatë periudhës janar-mars 2011 ishin 2.5 herë më të larta se sa në tremujorin e parë të vitit 2010, bëhet e ditur nga një raport statistikor i publikuar nga Instituti i Statistikave.
Lejet e ndërtimit pësuan rritje të konsiderueshme prej 57 përqindësh në vitin 2010 në krahasim me 2009-n, por kjo rritje qe ende shumë e ulët në krahasim me ecurinë e tyre në tremujorin e parë të këtij viti.

Gjithsej 503 leje ndërtimi me sipërfaqe të përgjithshme prej 883 mijë metrash katrorë sipërfaqe banimi apo shërbimesh u dhanë gjatë muajve të parë të këtij viti kundrejt 137 lejeve me sipërfaqe prej 204 mijë metrash katrorë të dhëna në të njëjtën periudhë të 2010-s. Durrësi mban numrin rekord të lejeve të dhëna, 105 të tilla me 73 mijë metra katrorë të dhëna këtë vit, një rritje prej katër herësh në krahasim me 28 leje ndërtimi, me sipërfaqe 15 mijë metra katrorë të dhëna një vit më parë. Në vend të dytë është Qarku i Gjirokastrës, (lejet më të shumta u dhanë në Bashkinë e Sarandës) me 85 leje të reja dhe 64 mijë metra katrorë sipërfaqe të programuar apartamentesh. Lejet e dhëna në Korçë, ndonëse qenë vetëm pesë të tilla, kanë një sipërfaqe të planifikuar ndërtimi prej 289 mijë metrash katrorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA