Kosovë, Vetëvendosje “diplomon” Tahirin

20/07/2011 17:30

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sërish sot një protestë para selisë së qeverisë së Kosovës, gjatë të cilës ka “diplomuar” me “diplomën e hajnisë” zëvendëskryeministren Edita Tahiri.

Tahirit i është atribuar “diploma” në fjalë për koncesionet që sipas Vetëvendosjes, ajo po i bën Serbisë në procesin e negociatave.

“Nuk do shumë mend për të vërejtur se si qeveria dhe pushtetarët e Kosovës, përvecse janë të shitur e të korruptuar, janë edhe shumë të paditur”, ka deklaruar një prej aktivistëve.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka një numër të konsiderueshëm deputetësh në Parlamentin e Kosovës, kundërshton negociatat pasi sipas saj, në këtë mënyrë, Kosova po i shitet shtetit serb.

Për këtë motiv ajo dhe parti të tjera opozitare organizuan një seancë të jashtëzakonshme në Parlament, ku përmes një mocioni që nuk u miratua kërkuan ndërprerjen e bisedimeve.

Top Channel