Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka gjetur mënyrën se si t’ia bëjë me partitë politike te cilat nuk paguan gjobat.

Paratë që i’u takojnë atyre nga Fondi për Financimin e Partive Politike, e që menaxhohet nga KQZ, do t’iu ndalen për shumën e detyrimit që e kanë ndaj shtetit. Zakonisht partitë politike, në kohë të fushatave elektorale, bëjnë thirrje për respektimin e ligjit, por janë pikërisht ato që e shkelin atë. Paneli Zgjedhor për Ankesa kishte gjobitur ato për shkeljet e bëra, dhe partitë më të mëdha, ishin edhe shkelëset më të mëdha.

Më shumë se 365 mijë euro është vlera totale e gjobave të shqiptuara, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës si partia më e madhe është shkelësja më e madhe dhe e gjobitur me 148 mijë euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 88 mijë euro gjobë, që pasohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 77 mijë dhe nga Aleanca për Kosovë të Re me 39 mijë të tilla. Asnjëra nga këto parti nuk ka shlyer detyrimet financiare e ligjore, ndonëse afati ka kohë që ka kaluar, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe dy partive tjera që vijnë nga komuniteti turk dhe serb.

Dhe sipas vendimit të KQZ-së, të ditës së martë, Top Channel mëson se si do t’iu merren këto para. Fjala vjen, PDK e cila ka më së shumti deputetë, nga ky Fond i bie të marrë më së shumti para, plot 621 mijë euro. Por, për shkak se nuk e ka shlyer borxhin, PDK-se do t’i jepen vetëm 473 mijë euro, dhe në këtë mënyrë do të veprohet edhe me partitë tjera borxhlinje. Sidoqoftë, ky është një shembull që tregon se partitë politike ndonëse e kanë gojën plotë për respektimin e ligjit, ndodhë që nuk e bëjnë këtë, sikurse në rastin kur nuk paguan gjobat.

Top Channel