Qeveria e Kosovës ka futur sot në fuqi masat e reprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilat nuk lejojnë importin e produkteve me vulë kosovare.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja kosovare e Ekonomisë, Mimoza Kusari Lila, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë.

“Nga dita e sotme nuk njihen vulat tatimore të Serbisë, nuk lejohen mallrat që mbajnë vulat e Serbisë dhe po ashtu ato të Bosnje e Hercegovinës”, ka deklaruar Lila.

Ndaj këtij vendimi të Prishtinës zyrtare ka reaguar pala serbe, e cila është shprehur shumë e shqetësuar.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanovic ka kërkuar ndërhyrjen e BE-së, ndërsa negociatori Borko Stefanovic e ka vlerësuar si “një vendim shkatërrues”.

Top Channel