Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Ulrike Lunaçek ka dhënë
shembull se çfarë duhet bërë me imunitetin e deputetit të Kuvendit të
Kosovës.

Në një konferencë për media në Prishtinë ajo ka thënë se i dyshuari jo vetëm duhet të japë dorëheqjen, por edhe të kërkojë vetë heqjen e imunitetit.

“Mendoj se kjo çështje është politizuar javët e fundit. Për mua si parlamentare është shumë e qartë. Unë nuk jam eksperte për Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por është e qartë se nëse unë do të isha hetuar për një krim serioz, për të cilin unë dyshohem, atëherë natyrisht që do të kërkoja vetë heqjen e imunitetit, madje edhe do të jepja dorëheqje që në fillim. Mendoj se kjo e dëmton imazhin e Kuvendit dhe të qytetarëve, sepse ne si parlamentarë përfaqësojmë qytetarët”, tha Lunacek.

Zonja Lunacek ka ritheksuar derisa bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, askush nuk duhet të fshihet prapa imunitetit. E ashper u tregua ajo edhe me Serbine, teksa foli per ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin.

“Refuzimi i Serbisë për të ecur përpara tani që janë arritur disa marrëveshje, rrezikojnë statusin e kandidatit të Serbisë. Besoj se me këtë mënyrë si po vazhdon të sillet Serbia do ta humbë edhe mbështetjen e vendeve që derin tani e kane perkrahur”, tha Lunacek.

Ndërkohë, sa i përket progresit në Kosovë në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, eurodeputetja ka thënë se ka përmirësime të dukshme dhe në shtator misioni i Komisionit Evropian pritet të nxjerrë vlerësime të reja pozitive.

Top Channel