Një kaos të vërtetë ka shkaktuar në dy ditët e fundit greva e taksistëve në Greqi. Pronarët e taksive në të gjithë vendin, që po protestojnë prej mëngjesit të së hënës kunder liberalizimit të profesionit të tyre, kanë vendosur që të vazhdojnë protestën deri të paktën të enjten në mëngjes.

Greva e përgjithshme e taksistëve grekë i ka dhënë një goditje akoma më të fortë turizmit të vendit, në këto momente kur Greqia ka më shumë nevojë se kurrë për turistë të huaj, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në mediat vendase për pengesat në qarkullimin e tyre.

Dje, por edhe sot, në Athinë, Selanik, Patra, Kretë dhe në të gjitha qytetet e mëdha të vendit, taksistët kanë bllokuar hyrjet e aeroporteve dhe të porteve, duke shkaktuar një kaos të vërtetë dhe duke mos lejuar të paktën 16.000 turistë të shkojnë në destinacionin e tyre.

Vetëm në Kretë dy anije të mëdha turistike, me nga 3.000 dhe 4.500 pasagjerë, janë penguar për t’u ankoruar në dy porte të ishullit.

Nga ana e tyre, pronarët e taksive deklarojnë se vendimi i qeverisë është i padrejtë. “Kemi dhënë nga 200.000 euro për të marrë lejen e taksive dhe tani qeveria liberalizon profesionin, dicka që nuk ka ndodhur në asnjë vend europian, por po ndodh në Greqi. Do të shkojnë dëm gjithë këto para dhe do të mbushen rrugët plot me taksi”, deklaron Aqileas Tsivos, shofer taksie.

Ndërsa qeveria u bën thirrje taksistëve të respektojnë ligjin duke theksuar se reformat që ajo ka ndërmarrë kanë për qëllim rritjen e konkurrencës dhe luftën kundër monopoleve dhe korrupsionit.

Ligji i ri për liberalizimin e lejeve të taksive  hyri në fuqi më 2 korrik dhe lehtëson procedurat. Vlen për t’u theksuar se brenda dhjetë ditëve mbi 3.000 persona në Athinë kanë kërkuar të marrin një leje për këtë shërbim.

Por pamjet me vargun pa mbarim të taksive të verdha në rrugët e kryeqytetit, si dhe në qytetet e tjera, kanë bërë xhiron e botës, duke shkaktuar reagime jashtë, por edhe brenda vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA