Propozimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, që rastet e Hagës të mbyllen nga Parlamenti me interpretim autentik të ligjit për amensti ka shkaktuar debate të ashpra mes deputetëve të opozitës maqedonase dhe atyre të BDI-së.
Deputetët e LSDM-së opozitare kanë kundërshtuar një propozim të tillë duke thënë se në këtë mënyrë amnestohen vrasësit dhe shkelet mbi shtetin juridik.
“Kjo që po debatojmë sot nuk ka lidhje me nacionalizmin, kjo ka të bëjë me moral dhe me shtetin ligjor. A është morale që një njeri që bën aksident trafiku të vuajë dënim me 5 vite burg, kurse dikush që ka vrarë 12 maqedonas të amanestohet? Këtë nuk do ta pranojmë dhe kjo nuk është nacionalizëm apo qasje serioze ndaj drejtësisë”, ka deklaruar deputeti Igor Ivanovski.
Ndërsa deputetët e BDI-së e kanë mbrojtur propozimin duke thënë se një gjë e tillë do të mbyllë plagët e konfliktit të vitit 2001 dhe të mundësojë pajtimin historik mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ata kanë ftuar kolegët e LSDM-së të mos shfrytëzojnë debatin politikisht.
“Ne sot bëjmë interpretim autentik për të eliminuar cdo mundësi keqinterpretimi e keqpërdorimi, sepse si pasojë e këtyre interpretimeve populli shqiptar u detyrua të organizohet në vitin 2001 në kryengritje të arsmatosur kundër politikave të gabuara të VMRO/DPMNE-së dhe LSDM-së para 2001-shit”, ka deklaruar deputeti Xhevat Ademi.
Propozimi i BDI-së pritet të marrë pëlqimin e shumicës, pasi mbështetet nga partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, por edhe nga opozita shqiptare.
Autoritetet maqedonase menjëherë pas konfliktit të vitit 2001 përpiluan katër raste për krime lufte me të cilat akuzoheshin ish-luftëtarët e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare, por edhe vetë drejtuesi i saj Ali Ahmeti.
Pas shqyrtimit të këtyre rasteve, gjykata e Hagës, për shkak të mungesës së fakteve, i ktheu të njejtat për procesim në gjykatat maqedonase.
Top Channel