Me 63 vota pro dhe 40 kundër Parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për përdorimin e simboleve të bashkësive entike në Maqedoni.

Me këto ndryshime parashikohet që shqiptarët të mund të përdorin flamurin kombëtar vetëm në ato komuna në të cilat përbëjnë mbi 50% të popullsisë.

Ndryshimet u miratuan pa prezencën e deputetëve të opozitës shqiptare, të cilët vlerësojnë se me këto ndryshime flamurin kombëtarë nuk do të mund ta përdorin të gjithë shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

“Partia Demokratike Shqiptare nuk do të bëhet pjesë e një procesi makabër që në esencë degjeneron palcën e kombit shqiptar. Kumanova, Kërcova dhe gjysma e shqiptarëve nuk kanë të drejtë ta përdorin këtë simbol”, deklaroi Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Por, ndryshe nga opozita, deputetët e BDI-së, partisë shqiptare në qeveri, vlerësojnë se me këto ndryshime të ligjit plotësohen kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

“Fakti që opozita shqiptare nuk ishte në sallë për të votuar kundër, por thjesht abstenoi nga votimi, vetëm dëshmon se nuk bëhet fjalë për një ligj të keq, por përkundrazi për një ligj i cili plotëson dhe mbulon kërkesat dhe interesat e shqiptarëve në Maqedoni”, është përgjigjur Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Miratimi i ndryshimeve në ligjin për simbolet kombëtare dhe gjuhën janë pjesë e marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO/DPMNE-BDI. Ndërkohë mësohet se qeveria a re do të votohet më 27 korrik.

Top Channel