Imuniteti nuk do ta pengojë EULEX-in që më 20 shtator te marrë në pyetje
deputetin, Fatmir Limaj, në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të
detyrës zyrtare gjatë kohës qe Limaj ishte ministër i Transportit.
Këtë e ka konfirmuar për Top Channel avokati i z. Limaj, Tomë Gashi, i cili ka thënë se, “EULEX-i ka të drejtë që te ftojë secilin deputet të Kuvendit të Kosovës per ta marrë në pyetje për dyshimet që mund te ketë, dhe se deputetët nuk mund të bazohen në imunitet për të refuzuar që të merren në pyetje”.
Sipas avokatit Gashi “Ligji i procedurës penale mundëson që secili i dyshuar për çfarëdo vepre penale ka të drejtë që të mbrohet edhe në heshtje, por fizikisht duhet të paraqiteti në Prokurori”.
Në rast se dikush, qoftë edhe deputet refuzon të paraqitet atëherë, sipas Gashit “prokurori ka të drejtë që të urdhërojë sjelljen e tij në prokurori përmes policisë, dhe kjo nuk do të konsiderohet as arrestim, apo paraburgosje”.
Por çështja e imutetit të deputetëve që janë nën hetime ka ngjallur debatin në Kosovë dhe kjo së fundmi me kerkesen qe EULEX-i i beri kryetarit te Kuvendit Jakup Krasniqi që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë përmes së cilës do të autorizohej Qeveria për të kërkuar shpjegim nga Gjykata Kushtetutese për këtë çështje.
Përveç bastisjeve që janë bërë në ministrinë e Transportit e cila drejtohej nga Limaj, EULEX-i para pak muajsh ka lëshuar një urdhër-arrest për të, nën dyshimin për krime lufte, por që nuk ka mundur të ekzekutohet për shkak të imunitetit që Limaj e ka si deputet.Por, si bëhet heqja e imunitetit të një deputeti? Sipas Gashit, kjo fillon kur Kryeprokurori i Shtetit me një kërkesë formale i drejtohet Kryetarit të Kuvendit, dhe ky i fundit kërkesën në fjalë e dërgon në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.
Sidoqoftë ende mbetet e paqartë nëse do të vije deri në këtë pikë, pasi nuk ka ndonjë kërkesë në adresë të këtij Komisioni për trajtimin e çështjes së imunitetit për ndonjë deputet që është nën hetime.
Top Channel