Shefja e diplomacise amerikane Hillary Clinton është takuar në kuadrin e vizitës treditore të saj në Athinë, me presidentin Karolos Papulias, kryeministrin Jorgos Papandreu, homologun e saj Stavros Lambrinidhis, si dhe ministrin e Financave Evangjelos Venizelos.

Në të gjitha kontaktet e saj me udhëheqjen e lartë politike greke, ajo ka përsëritur se SHBA mbështesin përpjekjet që po bën Athina zyrtare për daljen e vendit nga kriza e thellë ekonomike.

“Unë jam gjithashtu e kënaqur që jam këtu në këto kohë të vështira për të demonstruar qartë mbështetjen e fortë që Shtetet e Bashkuara i japin Greqisë. Ne e dimë se jemi miqtë tuaj dhe aleatët tuaj dhe ne jemi krenarë për të dyja këto. Ne mbështesim popullin dhe qeverinë grekë, në përpjekjen tuaj për të kthyer vendin në rrugën e prosperitetit dhe stabilitetit ekonomik”, ka deklaruar Clinton.

Zonja Clinton shfaqi optimizmin e saj për të ardhmen në takimin me presidentin Papulias, ndërsa ai e ka falenderuar atë dhe presidentin Obama për këtë mbështetje kuptimplotë të Uashingtonit.

Vizita e zonjës Clinton në Greqi kryhet vetëm disa ditë para samitit të lartë të Brukselit, të enjten në 21 korrik, ku udhëheqësit europianë do të diskutojnë për një paketë të dytë shpëtimi për Greqinë, mes frikës se kriza e borxhit rrezikon te përhapet në Spanjë dhe Itali dhe mund të demtojë monedhen europiane.

Clinton ka deklaruar gjithashtu se plani afatmesëm i masave antikrize është vërtet i dhimbshëm për grekët, por do të sjellë rezultate pozitive.

“Unë kam besim në tolerancën e popullit grek dhe përshëndes qeverinë për gatishmërinë e saj për të marrë këto hapa të vështira. Greqia ka frymëzuar gjithë botën më parë dhe unë kam besim se ju po e bëni këtë përsëri”, u shpreh Clinton.

Në bisedimet me homologun e saj Stavros Lambrinidhis janë trajtuar cështjet e krizës ekonomike, të politikës së Jashtme dhe kryesisht ngjarjet në Libi, zhvillimet në Lindjen e Mesme, në Ballkanin perëndimor, ku ajo ka shfaqur vlerësimet e saj për pozicionimin e qeverisë Papandreu në integrimin europian të vendeve të rajonit, marrëdheniet turko-greke dhe problemi i Qipros.

Gjithashtu, ata kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të antikave të vjedhura.

Sekretarja amerikane e Shtetit përfundon vizitën e saj të hënën pas një takimi me liderin e opozitës konservatore, Andonis Samaras, përpara se të niset për në Indi.

Top Channel