BE: Kolegji Zgjedhor nuk fshiu dyshimet

17/07/2011 17:10

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Europian deklaron se Kolegji nuk fshiu dyshimet për votat dhe rezultatin në Tiranë, që thelloi krizën dhe polarizimin politik. Zëdhënësja e shefes së Politikës së Jashtme të BE Catherine Ashton shpreh në një intervistë për TCH shqetësim edhe për situatën e Top Channel si pjesë e lirisë së medias. (UPDATE) 

Me zëdhënësen Maja Kocijancic bisedoi gazetarja jonë, Arta Tozaj

TCH: Pas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, për partinë qeverisëse zgjedhjet konsiderohen tashmë të përfunduara. Këto zgjedhje përbënin një ndër kushtet kyce për anëtarësimin europian të vendit. A i përmbushi Shqipëria standartet? A ishin këto zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike?

Kocijancic: Mendoj se ju do të merrni vlerësimin e plotë vetëm më vonë, pasi ai do të bëhet në raportin e rregullt të progresit që Komisioni Europian do të miratojë në vjeshtë të këtij viti. Por, natyrisht, ne kemi vijuar t’i ndjekim nga afër zgjedhjet lokale të 8 Majit, madje zhvillimet i kemi diskutuar dhe në Këshillin e Ministrave të Jashtëm në qershor. Këshilli vuri në dukje me shqetësim polarizimin e situatës. Së fundmi, këtë javë aktualisht kemi marrë të reja mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor e vecanërisht për argumentimin e dhënë, gjë e cila na mungonte javën e kaluar dhe me të cilin as nuk u ngritën dhe as nuk u fshinë dyshimet tona mbi procedurat që u përdorën për numërimin e votave. Ne besojmë se cfarë nevojitet të ndodhë tani është një reformë e ligjit mbi zgjedhjet dhe e kuadrit legjislativ që lidhet me to. Nevojitet që kjo të bëhet në transparencë të plotë e në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne, si Bashkim Europian, kemi mbështetur gjithashtu propozimin e Këshillit të Evropës që kjo cështje t’i jepet për konsultim Komisionit të Venecias, në mënyrë të tillë që të sigurohemi se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.

TCH: Pas mosshpalljes së rezultatit paraprak nga KQZ, ju i bëtë thirrje autoriteteve shqiptare për t’i mbyllur këto zgjedhje në mënyrë të ndershme, të pavarur dhe pa asnjë presion politik. A ishin të tilla vendimet e marra nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor? Pra, a u morën këto vendime në mënyrë të ndershme, të pavarur dhe pa asnjë presion politik sic e kërkuat dhe ju?

Kocijancic: Unë sapo tentova t’ju shpjegoj se kemi shqetësime mbi polarizimin e mbi atë cfarë kemi parë në këtë drejtim. Ajo cfarë ne donim e që e kemi thënë vazhdimisht deri tani është se procesi duhet të ndiqet dhe të zhvillohet sipas rregullave që ekzistojne dhe se ne do ta monitoronim nga afër. Më duhet të them, e kjo është ajo cfarë u përpoqa të shpjegoja, se ne pamë që, për shembull, arsyetimi i vendimit të fundit nuk i zbuti dyshimet për mënyrën se si u menaxhua procesi nga ana proceduriale. Ne besojmë ende, e këtu nuk ka asgjë të re pasi njësoj kemi nxitur dhe në të kaluarën, që legjislacioni ekzistues duhet modernizuar, e duhet ndryshuar sipas rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ODIHR. E ne besojmë se kjo është tani më urgjente se kurrë, pasi pati parregullësi që duhen ndryshuar. Kjo është ajo që duam të shohim. Por, sigurisht ajo që duhet të ndodhë gjithashtu është që Shqipëria, në mënyrë që të ecë drejt BE-së, duhet të gjejë mënyren sesi partitë e ndryshme politike të punojnë së bashku. Kështu ndodh në cdo vend modern e demokratik, ku fokusi duhet të jetë në të ardhmen. Fokusi duhet të jetë mbi reformat që i nevojiten Shqipërisë për përafrimin e mëtejshëm me Bashkimit Europian.

TCH:
Sa herë që ju bëni thirrje për dialog politik, në Shqipëri duket sikur ndodh tërësisht e kundërta, palët ndahen gjithnjë e më shumë. Lideri i opozitës Edi Rama thotë se nuk mund të ketë dialog, pasi këto zgjedhje janë të papranueshme. Kryeministri Sali Berisha e përfaqësues të tjerë të maxhorancës bëjnë thirrje që zoti Rama të pranojë rezultatin e shpallur nga institucionet përgjegjëse, por në sytë e opozitës këto institucione janë të korruptuara dhe nën presionin e qeverisë. Sa i njihni dallimet e verteta mes dy palëve dhe a keni ndonjë plan konkret sesi mund ta ndihmoni vendin në këto momente?

Kocijancic:
Qartazi, ne po e ndjekim situatën nga shumë pranë. Shqipëria, sikundër dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka perspektivë europiane, e kjo është dhe arsyeja pse po i kushtojmë vëmendje të shtuar. Ajo cfarë në duam të shohim është, sic e shpjegova, që Shqipëria të përparojë. Kriteret politike për zgjerimin janë ekstremisht të rëndësishme. Pra mënyra sesi funksionon sundimi i ligjit dhe institucionet demokratike është një nga ato gjera që ne do i shohim nga shumë pranë, kur të përgatitet raporti nga Komisioni në tetor. Ndaj, ajo që po vëzhgojmë është se sa përputhet ajo cfarë po ndodh në vend me kriteret që Shqipëria nevojitet të përmbushë, si një vend me perspektive për status kandidat. Mendoj se kjo është edhe dëshira që po ndjek Shqipëria, si dhe që dëshiron ta ndjekë në të ardhmen, por për këtë këto kritere duhen përmbushur. Kjo pikësepari. Nëse flasim politikish, unë nuk mund të futem tek cështja e rezultateve pasi kjo nuk i takon Bashkimit Europian, por ajo që BE mund të bëjë është që të japë vlerësimin mbi përmbushjen e standarteve europiane e ndërkombëtare për zgjedhjet. E për këtë, ne e kemi bërë shumë të qartë qëndrimin tonë, se kuadri ekzistues në tërësi dhe legjislacioni i nevojshëm duhet të reflektojnë më mirë praktikat moderne që ekzistojnë në BE. Në këtë kontekst mirëpritëm idenë që Komisioni i Venecias ta shohë këtë rast. Mendoj se kjo mund të përbejë një zgjidhje në rastin e sistemit zgjedhor, të procedurave zgjedhore, të cilat kanë disa parregullësi, sic është identifikuar në të kaluarën. Por, Këshilli i Ministrave të Jashtem Europian do të vazhdojë ta ndjekë situatën, njësoj ministrat në mënyrë individuale, apo komisioneri Fyle dhe Përfaqësuesja e Lartë Ashton. Të mos harrojmë se Shqipëria ka perspektivë europiane. Perspektiva europiane është ajo që sjell përfitime mjaft të prekshme në vend dhe këtu duhet të jetë fokusi.

TCH:
Në qëndrimin e përbashkët të vendeve anëtare të BE-së mbi takimin e radhës me Shqipërinë thuhet se pavarësisht tensioneve e parregullësive, procesi mund të quhet brenda normave deri tek rezultatet paraprake, për cfarë ndodhi më pas BE shpreh keqardhje. Për ta qartësuar, kjo do të thotë se edhe për BE kjo periudhë ishte e pandershme, sic po pretendon opozita?

Kocijancic: Dua të them se ajo që kemi parë neve në termat e rezultatit është një rast i qartë i një rezultati zgjedhor të ngushtë. Kjo është dicka që në të kaluarën, apo së fundmi, ka ndodhur edhe në BE apo në vende të tjera në botë. Ajo cfarë duhet vendosur në të tilla raste janë procedurat që lejojnë kapërcimin e kësaj situate, e cila kërkon sigurisht dhe pjekuri politike. Për këtë arsye ne besojmë se rekomandimet, që ju i dini shumë mirë, duhet të ndiqen. Menjëherë pas zgjedhjeve, vlerësimi i parë ishte se dita zgjedhore u zhvillua në një atmosferë të qetë, sic nuk ka ndodhur gjithnjë në të kaluarën, por ne vazhdojmë të monitorojmë ndjekjen e procesit. Sic vepruam. Tashmë, dy muaj pas zgjedhjeve, në kemi shqetësime për polarizimin që pamë pas vendimeve, konkretisht të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor, gjë që na shtyn të mendojmë se kjo vec sa konfirmon nevojën për reformë.

TCH: Pra, në thelb, a i kemi përmbushur standartet? A ishin këto zgjedhje në rregull e tani duhet të shohim vetëm nga e ardhmja?

Kocijancic: Vlerësimi ynë i plotë do të bëhet vetëm më vonë gjatë këtij viti, brenda raportit tonë të rregullt dhe po presim raportin përfundimtar të ekipit të OSBE/ODIHR, i cili pritet në javët e ardhshme. Zgjedhjet, si të tilla, janë një element shumë i rëndësishëm i jetës demokratike dhe neve na nevojitet të kemi një analizë të tërësishme para se të japim vlerësimin tonë përfundimtar. Por ajo që është e qartë që prej sot, është se arsyetimi i vendimit për shembull, që ne morëm së fundmi, nuk i hoqi dyshimet për rrjedhje të votave gjatë procedurave të numërimit. Këto dyshime ekzistojnë ende dhe njësoj shqetësimet për polarizim. Por për vlerësimin përfundimtar, na duhet të presim vjeshtën, si për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, ashtu edhe për raportin tonë vjetor të progresit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA