Vlorë e Gjirokastër, dy viktima të vapës

16/07/2011 09:30

Shtohen viktimat e vapës përvëluese të ditëve të fundit. Temperaturat e
larta që kanë përfshirë gjithë territorin e vendit mendohet se kanë qenë
shkak për vdekjen e dy të moshuarve në Orikum dhe në Gjirokastër.

Policia është duke hetuar shkaqet e vdekjeve të dy personave, por nga të dhënat paraprake ato janë klasifikuar si natyrale dhe të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Dje në mesditë, një i moshuar ka gjetur vdekjen teksa po bënte banjë dielli në plazhin e Orikumit, 19 kilometra larg Vlorës. Viktima është identifikuar si S. Gjika, 70 vjeç, lindur në fshatin Dukat dhe banues në qytezën e Orikumit.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 70-vjeçari kishte shkuar në plazh në orët e para të mëngjesit. Dëshmitarët e rastit kanë pohuar se i moshuari ka qëndruar në bregdet duke marrë rreze për shumë orë, por pak pas mesditës nuk është ndjerë mirë. Rreth orës 13:00 është njoftuar urgjenca e spitalit dhe drejt plazhit është nisur një autoambulancë.

I moshuari është transportuar për në spital, por çdo përpjekje ka qenë e kotë. Gjika nuk ka mundur të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Trupi pa jetë i 70-vjeçarit është vendosur në morgun e spitalit të Vlorës, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ekspertët deklaruan se i moshuari ka pësuar një atak kardiak, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Sipas mjekëve, mendohet se temperaturat e larta dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në diell mund të jenë bërë shkak për shfaqjen e problemeve të zemrës.

Shënohet viktima e parë e vapës në Gjirokastër. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se një 69-vjeçar ka ndërruar jetë dhe dyshohet se shkak janë bërë temperaturat e larta të këtyre ditëve. Mësohet se Mirak Hysenaj, banor i fshatit Asim Zeneli në Komunën Antigone të Gjirokastrës është gjetur i vdekur nga disa bashkëfshatarë pranë një rezervuari, rreth dy kilometra larg fshatit i “goditur nga dielli”.

Sipas familjarëve dhe bashkëfshatarëve të tij, 69-vjeçari Hysenaj ishte nisur në mëngjes për të bërë një barrë dru në një korie afër fshatit. Pak pas mesditës, kur në banesë u kthye vetëm gomari i ngarkuar me dru, familjarët u shqetësuan dhe nisën ta kërkojnë në zonat përreth. Trupi i tij është gjetur disa orë më pas nga bashkëfshatarët në afërsi të digës së rezervuarit të fshatit. Sipas bluzave të bardha, që bën këqyrjen e kufomës, mendohet se vdekja ka ardhur nga asfiksimi, që mendohet se është shkaktuar nga vapa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA