Kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka mbetur në të njëjtin qëndrim të shprehur më parë. Së fundmi ai ia ka dërguar zyrtarisht përgjigjen negative shefit të EULEX-it, Ksavier But De Marnak.

EULEX-i kërkonte nga Kuvendi për të miratuar një rezolutë e cila do të autorizonte qeverinë e Kosovës që t’i kërkonte Gjykatës Kushtetutese interpretim për çështjen e imunitetit të deputetëve që janë nën hetime.

I kontaktuar përmes telefonit nga Top Channel, z.Krasniqi ka thënë se letra nuk ka pësuar ndryshime përmbajtësore, përveç atyre gjuhësore, nga letra e përgatitur në fillimit të javës së kaluar.

Ndryshimi i vetëm nga draft-letra e mëparshme, sipas Krasniqit, është se EULEX-it i është sqaruar se “iniciativën për heqjen e imunitetit mund ta bëjë vetëm Prokurori i Përgjithshëm, bazuar në nenin 9, pika 3 e ligjit për deputetët”.

Ditë më parë, Krasniqi, kishte thënë se, EULEX-i nuk ka të drejtë të bëjë kërkesa të tilla, sikurse që ishte ajo për rezolutën.

Kjo kishte ngjallur reagimin e ashpër të ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, i cili pati deklaruar se Krasniqi ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, miqtë më të mirë të Kosovës, në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve.

Krasniqi i ishte kundërpërgjigjur ambasadorit amerikan, duke i thënë se në këtë rast beson që është në mbrojtje të demokracisë dhe se asnjëherë nuk e ka penguar komunitetin ndërkombëtar.

Së fundmi, është edhe zëvëndësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, i cili i ka bërë thirrje Krasniqit, që Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për opinion lidhur me imunitetin e deputetëve.

Kërkesa për rezolutë e EULEX-it vjen pasi ky mision nuk ka mundur të zbatojë një urdhër-arrest për Fatmir Limaj, mbi të cilin rëndojnë dyshime për krime lufte, për shkak të imunitetit që e ka si deputet.

Top Channel