Zhvillimi politik në Shqipëri dhe qasja e Partisë Socialiste ndaj tij
përthyhet sërish nga aleati i saj tradicional, socialdemokrati Skënder
Gjinushi.
Në një konferencë për shtyp të dhënë dje, ai është shprehur kundër paketës së reformave me shumicën, që në kontekstin e tanishëm aktualizohet si marrëveshje apo legjitimim i pozicionit të saj. “Shqipërisë i duhet një zgjidhje e plotë politike dhe një veprim real opozitar.
Shqipëria është e fundit në rajon për liritë dhe të drejtat themelore, për nivelin e ulët ekonomik, për ritmet e ulëta të integrimit për korrupsionin papunësinë, varfërinë. Në Shqipëri kanë rënë tashmë institucionet, sidomos Kuvendi, drejtësia e vota e lirë dhe megjithatë disa opozitarë flasin ende për bashkëpunim dhe veprimtari institucionale. PSD vlerëson se çdo bashkëpunim me një shtet të korruptuar dhe të kapur thellon krizën, mashtron shqiptarët dhe komprometon vetë rolin dhe misionin e opozitës”, tha Gjinushi.
Socialdemokrati konfirmon kështu edhe njëherë vizionin e vet për veprimin opozitar, sidomos në kushtet e tanishme, kur përballja me shumicën në procesin elektoral ka prodhuar situata paligjshmërie. Madje, sipas Gjinushit, kërkesa për reformim në kushtet e tanishme dhe përqendrimi tek opozita kur skandalet mbërthejnë qeverinë, është paradoks i papranueshëm. “Nuk është veprim opozitar fakti që sa herë ka një skandal qeveritar flitet për reformim të PS-së dhe jo të PD-së. Kërkohet dorëheqje e gjithkujt në PS, por jo e qeverisë dhe Sali Berishës, që sa herë dështon qeveria apo bën skandalin e radhës, siç ishte masakra e Tiranës, opozita ofron reforma për të shpëtuar qeverinë, por jo Shqipërinë. Reforma e vetme me një qeveri të dështuar është largimi i saj”, tha Skënder Gjinushi.
Top Channel