Biznesi në pikën kritike

16/07/2011 15:10

Biznesi e ka vlerësuar tremujorin e dytë të vitit që lamë pas si më të vështirin që nga fillimi i vitit të kaluar.

Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë, i cili hartohet mbi bazën e pyetjeve direkte tek sipërmarrësit, tregon se bizneset e fushave kryesore të ekonomisë si industria, ndërtimi dhe shërbimet e vlerësojnë gjendjen e tyre ekonomike, në pikën më të ulët duke raportuar rënie të prodhimit dhe kërkesës.

Vec klimës së pafavorshme, biznesi ka listuar në tremujorin e dytë të vitit edhe përkeqësimin e marrëdhënieve me administratën si shkakun kryesor që ka dëmtuar gjendjen e tij. Bizneset e ndërtimit kanë vlerësuar praninë e korrupsionit dhe ekonomisë informale si faktorin kryesor që ka penguar aktivitetin e tyre normal në tremujorin e dytë.

E përkeqësuar vlerësohet edhe gjendja e rendit, kuadri ligjor dhe ai institucional si dhe marrëdhëniet e shtrënguara me bankat. Edhe bizneset e industrisë dhe ato të shërbimeve listojnë pak a shumë të njëtat shkaqe, të cilët implikojnë në një masë të madhe administratën duke shtuar për herë të parë edhe rikthimin e problemeve me energjinë elektrike.

Tremujori i dytë përkon me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat jo vetëm që nuk i dhanë fund krizës politike, por sipas bizneseve duket se kanë sjellë pështjellim të administratës dhe kanë cënuar zbatimin e ligjit. Megjithatë  ndryshe nga perceptimet e biznesit konsumatorët kanë një vlerësim me pozitiv për ekonominë duke raportuar një përmirësim të lehtë të gjendjes së tyre financiare dhe asaj ekonomike në përgjithësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA