I përulur dhe në dukje tepër i tronditur, Rupert Murdoch i ka kërkuar ndjesë familjes së 13-vjeçares Milly Dowler, të vrarë në vitin 2002, nga celulari i së cilës gazetarë të ‘News of The World’ kishin fshirë mesazhe, për të bërë që adoleshentja të dukej akoma gjallë.
Ishte vetë presidenti i ‘News Coorporation’ ai që kërkoi takimin me të afërmit e Doëlerit, pas daljes në dritë të skandalit që ka shokuar opinionin publik në Britani. Murdoch tha gjatë bisedës me ta se veprimet e gazetës nuk ishin aspak në standartin e vendosur nga i ati. Nga sa rrëfyen dhe avokatet e familjes Dowler, manjati i medias nuk ka reshtur së kërkuari ndjesë.
“Dridhej i tëri, ishte i tronditur dhe mjaft i sinqertë. Dukej qartë që e ka trajtuar këtë çështje në nivel personal. Nuk kishte asgjë të shtirur në apologjinë e tij”, rrëfyen ata.
Më herët, shefja ekzekutive e ‘News International’, Rebekah Brooks dha dorëheqjen, pas ditë të tëra presionesh për të lënë postin, lëvizje e përshëndetur nga kryeministrit David Cameron si “një vendim i drejtë”. Të njëjtën gjë bëri edhe lideri i opozitës, Ed Miliband.
“Jam i kënaqur që Rebekah Brooks më në fund pranoi të merrte përgjegjësinë për atë çfarë ndodhi gjatë kohës që ishte në krye të ‘News of The World’. Por, siç e dini, kur kërkova largimin e saj 10 ditë më parë, nuk po flisja për një individ të vetëm. Bëhet fjalë për kulturën e një organizate. Murdoch bën mirë që u kërkon ndjesë familjeve të viktimave, duhet ta bëjë me të gjithë”, u shpreh Ed Miliband.
Rebekah brooks ka qenë drejtuese e gazetës në periudhën e viteve 2000-2003, kur ka ndodhur edhe përgjimi i telefonit të Milly Doëlerit. Në një deklaratë të saj, Brooks tha se ndjen përgjegjësi të thellë për të gjithë personat që janë lënduar nga veprimet e gazetës.
Top Channel