Këshilli i Stabilizim Asociimit

15/07/2011 19:45

Takimi i tretë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri që do të zhvillohet më datë 19 korrik, është padyshim i një rëndësie të veçantë ku pritet t’i bëhet një vlerësim Shqipërisë për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Përgatitjet se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë, po ndërmerren nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Top Channel ka mundur të sigurojë një letër e cila mban firmën e ministrit të Jashtëm Edmon Haxhinasto drejtuar zonjës Ermelinda Meksi kryetare e Komisionit për Integrimin në parlamentin shqiptar.

Ministri Haxhinasto nëpërmjet letrës dërguar më 11 korrik, fton zonjën Meksi që të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit.

Por nga përgjigja që zonja Meksi i dërgon ministrit Haxhinasto duket se ky i fundit nuk e ka për kompetencë të bëjë një ftesë të tillë.

Sqarimi mësohet në përgjigjen e kryetares së Komisionit për Integrimin në parlamentin shqiptar se në nenin 117 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ku formati i pjesëmarrjes shqiptare në këtë Këshill është tërësisht qeveritar.

“Si kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian – shkruan zonja Meksi – ju kujtoj se, sipas nenit 122 të MSA-së, formati parlamentar paraqitet në takimet me BE-së nëpërmjet Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, i cili u mbajt me 14-15 qershor 2011”.

Ky problem thellohet akoma më tepër pasi, sipas zonjës Meksi, “qeveria shqiptare në asnjë rast nuk ka informuar apo konsultuar komisionin Parlamentar për Integrimin Europian mbi takimet e mëparshme të këtij Këshillit dhe as mbi veprimtarinë e fundit të komiteteve dhe nënkomiteve të MSA-së”.

Mosinformi bie ndesh me “Ligjin mbi punën e Kuvendit të Shqipërisë në proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.

Konkretisht neni 5 i tij detyron qeverinë që të informojë dhe të konsultohet paraprakisht me Kuvendin, ku Komisioni Parlamentar për Integrimin jep mendim, për çdo veprimtari të qeverisë me Bashkimin Europian.

Zonja Meksi e mbyll letrën duke i kujtuar ministrit Haxhinasto se “në respektim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 7, për ndarjen e pushteteve, pjesëmarrja ime në këtë Këshill është në konflikt me parimin e mësipërm, prandaj bëhet e pamundur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA