Bankat, të përkëdhelurat e qeverisë

15/07/2011 08:05

Bankat në Shqipëri kanë filluar të lobojnë pranë qeverisë për krijimin e një seksioni të veçantë nëpër gjykata, për të trajtuar çështjet e ekzekutimit të kolateraleve.

Një masë kjo që besohet se do t’ia lehtësojë punën, por që mund të krijojë një asimetri të re ligjore dhe një klasë biznesi “të privilegjuar” kundrejt pjesës tjetër të biznesit.

Bankat kanë përfituar nga regjime të veçanta ligjore preferenciale gjatë viteve të fundit dhe nuk kanë hasur problemet që shqiptarët i hasin rëndom në jetën e tyre të përditshme.

Kështu, ndërsa të gjithë shqiptarët kalojnë muaj të tërë nëpër dyert e hipotekave për të marrë vërtetime të ndryshme pronësie, për bankat janë vënë në dispozicion sportele të veçanta pa burokraci dhe pa radhë.

Gjykatat janë institucionet më të akuzuara për korrupsion nga të gjithë shqiptarët që janë përplasur në dyert e tyre dhe duket se mosfunksionimi i tyre po krijon probleme edhe për bankat.

Por krijimi i seksioneve të veçanta për hatër të bankave, të cilat nuk janë shumë të ndryshme nga çdo kategori tjetër biznesi, duket se do të krijojë një asimetri ku për një kategori biznesi do të ketë drejtësi të shpejtë e funksionale, ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve do të ketë drejtësinë e ngadaltë dhe jofunksionale të stilit të vjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA