Rama: Betejë me pushtetin për të shpëtuar demokracinë

14/07/2011 22:55

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama paralajmëroi një vjeshtë të nxehtë të politikës shqiptare. Lideri socialist tha se deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në parlament në shtator dhe krahas përballjes me mazhorancën në Kuvend, opozita do të përballet në të gjitha frontet në mënyrë demokratike me pushtetin, që sipas tij, ka braktisur vlerat dhe parimet euro-atlantike.

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, zoti Rama tha se Partia Socialiste është e vetmja rrugë.

“Modeli ynë është shpresa, është e vetmja rrugë që kanë shqiptarët dhe Shqipëria. Do ndërtojmë një strategji që do të ketë disa plane dhe maksimizimin e të gjithë aksionit opozitar në të gjitha frontet. Sot e shohim qartë që aspirata europiane është tërësisht e tradhëtuar, janë braktisur vlerat e parimet e BE-së dhe NATO-s në realitetin e përditshëm politik dhe social. Do hyjmë në parlament në muajin shtator, do zhvillojmë protesta, njëkohësisht me të gjitha format demokratike”, tha Rama.

Më tej Rama foli edhe për projektin për ndërtimin e parlamentit të ri që rrjedhimisht con në shembjen e piramidës. Lideri socialist u ndal tek kosto e projektit duke vlerësuar se me paratë e shembjes së piramidës dhe ndërtimit të parlamentit të ri mund të ndërtohen kampuse universitare me standarte europiane.

Rama u ndal edhe tek dialogu i mundshëm me mazhorancën, i cili mund të ndodhë, sic tha ai, vetëm me angazhimin e komunitetit ndërkombëtar.

“Është e domosdoshme që për të hapur dialog duhet të pranohet publikisht që ajo që ndodhi me zgjedhjet në Tiranë është e papranueshme dhe nuk duhet të përsëritet kurrë. S’ka dialog me Saliun pa angazhim të komunitetit ndërkombëtar për ndryshimet që kanë dalë si domosdoshmëri për të shpëtuar aspiratën e Shqipërisë për demokraci”, u shpreh Rama.

Kryesocialisti preku më tej edhe qendrimin e opozitës për disa cështje të rëndësishme në arenën politike shqiptare, që nga votimi i ligjit për regjistrimin e popullsisë, që për Ramën ishte një votim në kundërshtim me Kushtetutën, qendrimi  i ndërkombëtarëve për 21 Janarin dhe aksioni opozitar në muajt në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA