Verën e vitit 1986, menjëherë pas përfundimit të Pallatit të Kongreseve, arkitekti Vladimir Bregu, së bashku me tre arkitektë të tjerë, do të niste një tjetër projekt, atë të ndërtimit të Piramidës.
Plot 25 vjet më vonë, ai shpreh habinë që kjo ndërtesë është dënuar me vdekje, duke u shndërruar në një cështje të madhe politike.
“Nuk arrij ta kuptoj. Nuk mund të besoj që në kohët e sotme do prishet një objekt që ka pasur një djersë dhe vlerë të madhe historike, monetare, etj. Është një nga ndërtimet më të arritura të Shqipërisë. Ajo ka një gjuhë thellësisht moderne dhe është një objekt që është diskutuar dhe është eksperimentuar për herë të parë. Edhe po të prishet, historia do ngelet. Ndoshta prishja do ta bëjë legjendë”, deklaron Bregu.
Për arkitektin Bregu, ekzistojnë të gjitha mundësitë e një rikonstruksioni të piramidës, për të cilen ai ka projektuar disa variante të cilat askush nuk ka pranuar t’i shikojë dhe jo më t’i marrë në konsideratë.
“Ai objekt mund të kishte shumë zgjidhje. Kam qenë projektues në parlamentin e parë dhe kur kemi shkuar me arkitektë gjermanë tek piramida, ata kanë thënë përse të mos ndërtohet parlamenti këtu, sepse kjo ndërtesë e ka simbolikën të vecantë. Ne kemi skicuar shumë gjëra, por s’kemi si t’i tregojmë. Ajo mund të jetë një godinë parlamentare pa e prekur fare”, nënvizon Bregu.
Zoti Bregu shpreh një sërë pakënaqësish në lidhje me projektin fitues të parlamentit të ri, pasi sipas tij nuk është një ndërtesë unike në llojin e saj.
“Jam i qartë që këta arkitektë iu është dhënë detyra të studiojnë piramidën, apo e kanë parë zonën rrafsh. Është shumë larg aspektit të zgjidhjes dhe aspektit të rëndësisë. Projekti nuk është unik, ai është unik vetëm për projektuesit. Ai është larg nga piramida që është”, vlerëson arkitekti.
Ndërsa koston e ndërtimit të godinës së parlamentit të ri, arkitekti Bregu e shikon si pesë herë më të shtrenjtë nga kostoja e projekteve të paraqitura në konkursin e parë nga kompanitë garuese.
“Te projekti i parë kemi qenë në projektim tek një nga studiot fituese dhe na u kërkua të mos kalonte 20 milionë euro. Kur pash këtë objekt, ku panelet e metalit dhe xhamave kërkonin shpenzime të trefishta, jam cuditur. Kostoja ka shkuar 120 milionë euro”, shprehet Bregu.
Top Channel