Bum lejesh ndërtimi gjatë vitit 2010

14/07/2011 08:00

Sasia e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga bashkitë dhe komunat gjatë vitit 2010 qe 51 për qind më e lartë se sa në vitin 2009, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara nga Instituti i Statistikave.

Sipas gazetës ‘Shqip’, rritje veçanërisht të fortë kanë pasur lejet e ndërtimit për banesa me 57 për qind. Gjatë vitit të kaluar u dhanë 3398 leje ndërtimi, nga 2321 leje të dhëna në vitin 2009. Ky është edhe numri më i lartë i lejeve të ndërtimit të dhëna ndonjëherë në Shqipëri.

Vlera e përgjithshme e kostos së investimit të parashikuar në bazë të këtyre lejeve arrin në 93.5 miliardë lekë (668 milionë euro), ndërkohë që në vitin 2009, vlera e investimit të programuar qe 62 miliardë lekë. Vlera e investimit llogaritet nga INSTAT duke shumëzuar sipërfaqen në metra katror të ndërtesave për të cilat janë marrë leje me koston zyrtare të ndërtimit, e cila është afërsisht rreth 200 euro për metër katror.

Rritja më e fortë vërehet në leje ndërtimi për banesa. Vlera e investimit të programuar për banesa sipas lejeve të dhëna në vitin 2010 qe 77.5 miliardë lekë (rreth 554 milionë euro). Në vitin 2009 qe 49.1 miliardë lekë.

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë u ankua vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit për ecuri të keqe të shitjeve si pasojë e krizës si dhe për faktin se për herë të parë në historinë e vendit, pati me mijëra apartamente të përfunduara dhe të pashitura, ndërkohë që më herët, kompanitë e ndërtimit qenë në gjendje të shisnin apartamentet ende pa u përfunduar së ndërtuari. Çmimet e pronave të patundshme kanë pësuar rënie të lehtë ose kanë qëndruar në të njëjtin nivel si më parë gjatë dy viteve të fundit. Shumë prej pallateve, ndërtimi i së cilave nisi para krize, kanë mbetur të papërfunduar ose ritmi i punës është ngadalësuar ndjeshëm.

Të gjitha këto probleme kishin krijuar përshtypjen se kërkesa për leje ndërtimi do të ulej. Të dhënat e INSTAT-it raportojnë për rënie drastike të shitjeve të apartamenteve dhe dyqaneve si gjatë vitit 2010 ashtu edhe gjatë tre muajve të parë të vitit 2011, rënie kjo e vërejtur edhe në sasinë e kredisë për blerje pronash të patundshme të dhëna nga bankat.
 
Megjithatë, pavarësisht krizës, statistikat e INSTAT-it tregojnë se numri i lejeve të dhëna është si në një vit bumi ndërtimesh dhe jo si në një vit krize. Për më tepër, lejet e dhëna gjatë vitit 2010 për nga sasia janë më të lartat të dhëna ndonjëherë brenda një viti në Shqipëri.
 
Sasia e lejeve të ndërtimit është luhatur gjatë dekadës së fundit nga dyfishim apo trefishim brenda vitit deri në rënie dy herë apo tri herë. Shkaqet për këtë luhatje të stërmadhe lidhen me mosmarrëveshjet e shpeshta mes pushtetit qendror dhe atij vendor, të cilët konkurrojnë shpesh për të shtënë nën kontroll sektorin më joshës të ekonomisë shqiptare.
 
Rritje veçanërisht e lartë në numrin e lejeve të ndërtimit është vërejtur edhe në vitin 2000, kur disa nga bashkitë kryesore të vendit kaluan nga pushteti i së djathtës te pushteti i së majtës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA