Të gjitha negociatat, edhe ato të ndërmjetësuara nga deputetët dhe zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, me minatorët grevistë në Bulqizë kanë dështuar.
Ndërsa minatorët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre dhe bisedime me kompaninë ACR, nga kjo e fundit është shpërndarë një njoftim për minatorët në të cilin thuhet se ata janë këqpërdorur nga ana e sindikatës, që i udhëheq duke ndërprerë punën në mënyrë të paligjshme.
Po sipas këtij lajmërimi, kompania që në fillim ka qenë dhe vazhdon të jetë e gatshme për të negociuar për t’i dhënë zgjidhje problemeve që minatorët kanë, me kushtin që ata t’i rikthehen menjëherë punës për të krijuar kushtet për bisedime të barabarta pa presionin e asnjërës palë.
Shpërndarja e këtij lajmërimi në mëngjesin e ditës së sotme, e 11-ta ditë e vijimit të grevës së përgjithshme të minatorëve, ka cuar në rëndimin e situatës së përplasjeve mes drejtuesve të minierës dhe minatorëve, ku nuk kanë munguar edhe akuzat e ndërsjellta me ngritje zërash nga të dyja palët.
Kështu, këshilli sindikal i grevës është mbledhur menjëherë duke dalë me një deklaratë për shtyp, ku dënon me ashpërsinë më të madhe qëndrimin e ACR-së, duke e konsideruar aspak konstruktiv.
Gjithashtu, në këtë deklaratë thuhet se, dënohen me ashpërsinë më të madhe disa sekserë grevëthyes, që në bashkëpunim me disa sindikalistë tentojnë të prishin grevat që organizohen në minierën e Bulqizës.
Top Channel