Sarandë, pezullohen ndërtimet

13/07/2011 20:15

Qindra ndërtime të reja po i shtohen qytetit të Sarandës këtë verë. Një pjesë e madhe e tyre nuk po respektojnë asnjë kriter urbanistik dhe disa po mbivendosen mbi troje me pronarë të tjerë.

Stefan Cipa, kryetari i ri i bashkisë së Sarandës, thotë për TCH se bashkia do të pezullojë cdo ndërtim aktual në qytet për të verifikuar kriteret.

“Kam informacione se janë bërë disa leje me fraksione, ka shtesa katesh, me dhe pa leje, coptime plazhesh, pra një shkatërrim urban. Unë kam kërkuar që të shpallim një moratorium për ndërtimet pa leje dhe ato me leje, në mënyrë që t’i verifikojmë ato”, deklaron Cipa.

Cipa i është referuar ngjarjes më të fundit të ndodhur gjatë fundjavës në qytetin e Sarandës, ku pas një konflikti pronësie janë dëgjuar breshëri automatiku që kanë lënë të plagosura dy punonjëse pastrimi.

Plumbat kanë dalë nga papafingoja e objektit të shtetasit Artan Myrtaj dhe kishin si objektiv ndërtesën e shtetasve Sinan Mata dhe Kosta Thanasi.

Konflikti i pronësisë ka ardhur si rezultat shtimit të një kati në mënyrë të paligjshme nga shtetasit Sinan Mata dhe Kosta Thanasi në objektin e tyre, ndërtim i cili sipas pretendimeve te shtetasit Artan Myrtaj, pengon fushëpamjen.

“Janë fenomene që s’kanë ndodhur në Sarandë, por di që janë probleme që vijnë nga ndërtimet e paligjshme të shumëpalëve”, nënvizon kryebashkiaku Cipa.

Sipas burimeve nga komisariati i Sarandës, rastet e konflikteve me bazë pronësie në në këtë qytet vetëm gjatë kësaj vere regjistrohet të jenë 5 dhe  që të gjitha kanë shkaktuar të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA