Rama: Ndërkombëtarët të reagojnë

13/07/2011 15:20

Kryetari socialist Edi Rama, në një dalje për mediat, për herë të parë
pas vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor për Tiranën, u shpreh se
shteti i kapur për interesa të pushtetit të vjedhur, e ka nxjerrë
Shqipërinë nga binarët e Europës.

“Ajo që ndodhi me zgjedhjet e Tiranës, provoi jo vetëm që Saliu zgjedhjet i vjedh, nuk i fiton, por tregoi se sa i shurdhët është veshi i pushtetit të vjedhur ndaj të gjitha fjalëve qëllimmira të komunitetit ndërkombëtar”, tha Rama.

Kreu i PS-së, në emër të opozitës i kërkon ndërkombëtarëve që në këto kushte kur, sipas tij, vjedhja ka ndodhur hapur dhe kur gjykata ka refuzuar ta gjykojë cështjen, të mos mjaftohen me predikimin qëllimmirë të radhës.

“Populli ka sot nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën nga goja e miqve dhe e partnerëve të tij të cmuar. Ata nuk mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur me qeverinë që ka braktisur përfundimisht shinat e Evropës demokratike, duke tradhëtuar hapur e shkelur dhunshëm vlerat, parimet, standardet e integrimit në Bashkimin Evropian e të anëtarësimit në NATO”, tha Rama.

Kreu socialist theksoi se kursi politik i PS-së do të jetë për ta futur vendin në rrugën e duhur, bazuar në aspiratën e madhe të qytetarëve shqiptarë.

“Për të mundësuar një dialog serioz, duhet fillimisht të pranohet publikisht se ajo që ndodhi me zgjedhjet e 8 majit ishte jashtë cdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe si i tillë nuk duhet të përsëritet më kurrë, por këtë nuk presim ta dëgjojmë nga Saliu”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA