Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell reagoi ashpër ndaj refuzimit të kryetarit të parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi për të kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve që janë nën hetim.

Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori Dell tha se me këtë qëndrim, kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, “ka zgjedhur të sfidojë komunitetin ndërkombëtar, të sfidojë miqtë më të mirë të Kosovës në emër të mbrojtjes së një apo dy miqve të tij”.

Ai tha se përderisa zoti Krasniqi “nuk dëshmon ndjenjë më të lartë të përgjegjesisë për të zgjidhur shumë probleme që ka pasur deri tani, do të jetë e pamundur për Shtetet e Bashkuara që të vazhdojnë të punojnë me të si partner”.

Krasniqi  paraqiti sot para anëtarëve të kryesisë përgjigjen që i ka kthyer shefit të EULEX-it, Ksavier Bu de Marnjak, i cili kërkonte heqjen e imunitetit të deputetëve nën hetim.

Në letrën drejtuar shefit të EULEX-it, ai shkruan se se nuk është përgjegjësi e Parlamenti të merret me çështjen e imunitetit dhe se në bazë të Kushtetutës, qeveria mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetëve.

Top Channel