Brenda 3 vjetësh, një investim prej rreth 140 milionë eurosh, do ta ndryshojë pamjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Punimet për ndërtimin e një terminali të ri prej 42 mijë metrash katrorë filluan të hënën, të cilat në mënyrë simbolike u nisën nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësues të konsorciumit turko-francez “Limak de Lyon”.
“Dhënia me koncesion është në funksion të nxitjes së kapitalit, investimeve të huaja dhe rritjes së cilësisë së punës dhe shërbimeve në Kosovë”, deklaroi Jahjaga.
“Dhënia me koncesion e aeroportit “Adem Jashari” tregon se qeveria e Kosovës po realizon reformat për rritjen ekonomike të Kosovës dhe për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të saj”, tha Thaci.
“Investimi në shumën prej përafërsisht 140 milionë euro përbëhet nga aktivitetet tona të ndërtimit që do të realizohen dhe bashkë me ndërtesën e re të terminalit përfshijnë parkingun për automjete dhe kullën”, u shpreh më pas Sezai Bacaksiz, nëndrejtor i “Limak de Lyon”.
Qeveria e Kosovës më parë ka arritur një kontratë 20 vjeçare me konsorcimin “Limak de Lyon”, i cili do të ketë të drejtën e operimit dhe zgjerimit të aeroportit të vetëm komercial në Kosovë.
Përveç investimeve në infrastrukturë prej më shumë se 100 milionë euro, në bazë të kontratës parashihet që qeveria e Kosovës të fitojë 39.42 për qind të të hyrave bruto, në këmbim të të drejtave të koncesionimit, pra rreth 400 milionë euro brenda dy dekadave.
Viteve të fundit aeroporti “Adem Jashari” ka shënuar rritje mbi mesataren në trafikun e pasagjerëve. Vetëm vitin e kaluar 1.2 milion pasagjerë janë shërbyer në këtë aeroport, duke e bërë atë ndër më të ngarkuarit në Ballkan.
Top Channel