Të hënën pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të diskutojë për shpërndarjen e mandateve për Bashkinë Tiranë.
Komisioni ka miratuar ndërkaq tabelat sipas rezultateve të nxjerra nga KQZ. Mbetet vetëm që tabelat të përkthehen në mandate. Shpërndarja e mandateve për subjektet politike kërkon një shumicë të cilësuar prej 5 votash dhe është taksative në kod, pra nuk lë fare vend për interpretim.
Duke qenë se tabelat janë miratuar dhe në to mbahen parasysh edhe votat e gjetura gabim, të hënën nuk pritet ndonjë suprizë nga anëtarët e pakicës në KQZ.
Anëtarët e pakicës në KQZ refuzuan të japin votat e tyre për shpërndarjen e mandateve për këshillat e minibashkive. Ata argumentuan se në tabela nuk ishin përfshirë votat e hedhura gabim. Në këtë rast anëtarët në pakicë në KQZ akuzuan kolegët e tyre në shumicë se po aplikonin dy standarte: për kryetarin e Bashkisë së Tiranës kishin përfshirë votat e hedhura gabim, kurse për këshillat e minibashkive, jo.
Por shumica argumentoi se përfshirja e votave të hedhura gabim në shpërndarjen e këshillave të minibashkive nuk përfshihej në vendimin urdhërues të Kolegjit. Si u zgjidh ky ngërc? Cështja shkoi në proces ankimor në Kolegj dhe po atë ditë që Kolegji rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për Tiranën miratoi edhe shpërndarjen e mandateve për këshillat e minibashkive, sipas tabelave të hartuara nga KQZ.
Mirëpo të hënën nuk ka argument që anëtarët në pakicë të mos e japin pëlqimin e tyre. Këshilli bashkiak i bashkisë së madhe ka 55 mandate. Mbi bazën e përllogaritjeve të KQZ-së këshilli do të ndahet vetëm me një mandat ndërmjet dy koalicioneve.
Koalicioni i djathtë do të ketë 28 anëtarë, kurse koalicion i majtë 27 anëtarë. Diferenca e ngushtë bën që Partia Demokrartike ta ketë të vështirë marrjen e vendimeve të rëndësishme, si psh miratimi i buxhetit.
2 vitet e fundit, pas prishjes së socialistëve me LSI-në, miratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës u bllokua. Bashkia veproi me buxhete një mujore, një e drejtë që i njeh ligji. Por kjo praktikë cënon investimet për planet afatgjata.
Shpërndarja e mandateve mund të mbajë peng për ca kohë edhe betimin që kryetari i zgjedhur i Bashkisë Lulzim Basha duhet të bëjë përpara këtij këshilli, për të filluar ushtrimin e funksioneve.
Por nëse këshilli bashkiak nuk mblidhet, ligji parashikon se brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është prefekti ai që organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë.
Top Channel