Nëse dikush do të pyeste grekët se cili është profesioni që urrejnë më shumë në këto momente, përgjigja do të ishte: politikan.
Ky është konkluzioni që del nga sondazhi i fundit i kompanisë “Kapa Research”, i publikuar në gazetën ‘To Vima’ të së dielës. Dy partitë e mëdha historike, PASOK dhe Demokracia e Re, që për më shumë se tre dekada ndajnë pushtetin në Greqi pas diktaturës së 1974, tashmë nuk përqendrojnë më shumë se 1/3 e votave të qytetarëve të tyre.
Në pyetjen se “Nëse këtë të dielë do të zhvilloheshin zgjedhje, për kë parti do të votonit?”, 17.8% e të intervistuarve deklarojnë se do të votojnë për konservatorët dhe 16.5% për socialistët. Ajo që shqetëson më shumë sociologët në këto sondazhe është fakti që të ndodhur në këtë situatë, qytetarët japin përgjigje të tejskajshme. Kjo për faktin se janë të ndikuar në mënyrë absolute nga menaxhmenti i paqëndrueshëm politik i të tashmes dhe nga pasiguria për të ardhmen.
Ata janë të gatshëm të bien ndesh me çdo lloj pushteti, një ndër dy persona ndjehet mirë me talljen që u bëhet deputetëve, shumica janë të zemëruar me nënpunësit shtetërorë, kërkojnë madje edhe pushimin e tyre nga puna, kanë një tendencë kundërshtimi ndaj pothuajse gjithçkaje që ndodh.
Gati 60% e tyre shprehin pakënaqësi që deputetët votuan planin afatmesëm, ndërsa 67,6% kërkon që qeveria të shpallë zgjedhje të parakohshme në shtator nëse masat e reja antikrizë nuk japin rezultat.
Pas “Lëvizjes së të Indinjuarve” që shprehte hapur para parlamentit pakënaqësinë ndaj deputetëve të vendit, në javën e fundit nuk mungojnë mitingjet e vogla në Athin, Selanik dhe Patra, ku qytetarët ngjisin në mure fotogafitë e deputetëve me nënshkrimin “Kërkohet se votoi Planin Afatmesëm”, duke i akuzuar ata haptazi si shkaktarë të krizës që po kalon vendi.
Top Channel