Shkolla nis në 12 shtator

09/07/2011 17:55

Viti i ri shkollor do të nisë në 12 shtator dhe do përfundojë më 13 qershor për klasën e parë deri në të 11-n dhe me 22 maj për klasën e 12.

Ministria e Arsimit ka paracaktuar datën e fillimit, por edhe pushimet mes semestrave.

“Arsimi bazë është ndarë në dy semestre, ndërsa arsimi i mesëm i reformuar është vetëm më një vit shkollor pa semestra dhe ai fillon më 12 shtator dhe mbaron më 13 qershor, ndërsa maturantët kanë dy javë më pak sepse do i nënshtrohen provimeve”, është shprehur Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar.

Ekpertët e arsimit kanë menduar që vitin e ardhshëm të ndryshojnë edhe proçedurat e zhvillimit të maturës shtetërore, pasi janë hasur probleme me administrimin e provimeve në gjithë vendin.

Zoti Vejsiu tha se provimet do të zhvillohen në sallat e universiteteve dhe do të jenë shumë më të përqendruara, për të shmangur kopjet.

“I vetmi defekt i maturës shtetërore është administrimi. Motivacioni që i kemi dhënë ne është se është i shpërndarë, janë mbi 200 qendra të cilat është e vështirë t’i menaxhosh. Një nga mënyrat është zvogëlimi i mjediseve ku zhvillohet mësimi, dhe për të gjetur këto mjedise duhet të jenë sallat e mëdha të universiteteve për të organizuar dhe menaxhuar më mirë provimin”, theksoi Vejsiu.

Gjatë këtyre viteve që është aplikuar skema e maturës shtetërore, në shumë shkolla të vendit janë evidentuar abuzime, për shkak të mos administrimit korrekt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA