Zbehet imazhi i targave të automjeteve me mbishkrimin Republika e Kosovës apo RKS.
Pjesëtarët e komunitetit serb mund të pajisen edhe për pesë vitet e ardhshme me targat e vjetra KS, e po kështu edhe shqiptarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi konfirmoi prodhimin e targave të nxjerra më herët nga autoriteti i UNMIK-ut, ndërkaq tha se edhe targat RKS janë të përkohshme deri në marrjen e Kodit Shtetëror.
Ky mbishkrim në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ka për qëllim të tregojë se vazhdimi i prodhimit të targave KS e bën shtetin e ri të funksionojë sipas rezolutës 1244 dhe jo sipas Kushtetutës së saj.
Kryetari i komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës, Ahmet Isufi u shpreh kundër vazhdimit të prodhimit të targave KS pavarësisht se është rënë dakord në Bruksel.
Në konkluzionet e arritura, në fakt nuk paraqiten qendrimet e palëve për sa i përket dokumenteve të shtetësisë, por ato kuptohen në momentin kur Prishtina detyrohet të prodhojë targa KS për të mundësuar lëvizjen e qytetarëve në territorin e Serbisë.
Çka do të thotë se Serbia nuk i pranon targat me RKS. Në dokument thuhet se si masë kalimtare autoritetet në Kosovë do të vazhdojnë vlefshmërinë e targave KS për pesë vjet, në përfundim të së cilës çështja do të rishikohet nga të dyja palët, me ndërmjetesimin e BE-së nëse kërkohet.
Top Channel