Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Demokratike Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi deklaruan dje pas rrëzimit ankimor të PS-së nga Kolegji Zgjedhor “se për këtë forcë politike nuk ka më hapësira për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të Tiranës”.
Por për PS hapi i fundit juridik i së premtes në Kolegjin Zgjedhor nuk është i fundit siç pohuan demokratët, në këtë betejë të gjatë juridike prej të cilës socialistët thonë se nuk morën drejtësi, por u vulos grabitja e Tiranës.
Në një intervistë për Top Channel, Fatmir Xhafaj, sekretar për çështjet ligjore në PS, deklaron se beteja dy vjeçare e PS-së për votën e lirë të vjedhur në 2009-n, përfshi transparencën e zgjedhjeve të 8 majit do të vijojë.
Fillimisht ai komentoi zhvillimet e së premtes në Kolegjin Zgjedhor.
“Vendimi i djeshëm ishte thjesht një akt noterizimi i grabitjes së mandatit të Tiranës. Në mënyrë absurde Kolegji arsyetoi se kërkesa e PS-së ishte jashtë afatit. Ne ishim me 10 vota plus dhe nuk mund të bënim asnjë ankimim në këto momente. Me daljen e rezultatit të ri PS-së i lindte e drejta që të kërkonte pavlefshmëri ashtu siç edhe veproi”, është shprehur Xhafaj.
Zoti Xhafaj e ka akuzuar Kolegjin Zgjedhor se për Tiranën ka aplikuar një standard tjetër vendimarrjeje nga ato të mëparshmit.
“Vendimi djeshëm është në kundërshtim me vetë Kolegjin. Në kushtet e njëjta Kolegji ka marrë një vendim identik si ky në 2006-n. Është po ky Kolegj që në 2009-n ka mbajtur të njëjtin qendrim. Ndërkohë që në 2011-n ka mbajtur një vendim krejt të ndryshëm. Kolegji mohoi edhe vetëveten dhe mohoi vendimin e tij të para një muaji”, theksoi Xhafaj.
Për Partinë Socialiste shkuarja e së vërtetës deri në fund për këto zgjedhje merr një rëndësi më të madhe, por jo vetëm kaq.
“Do të shikojmë mundësinë e kallëzimit të këtij proçesi në prokurorinë shqiptare, një hap tjetër është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, konsultimi me Komisionin e Venecias dhe çuarja e çështjes në Gjykatën e Strasburgut. Është shumë e rëndësishme t’i shkohet deri në fund të vërtetës sepse kjo lidhet me të ardhmen e zgjedhjeve në vend”, deklaroi Xhafaj.
Top Channel