Lidhja Demokratike të Kosovës akuzon qeverinë Thaçi për ndërhyrje në sistemi e drejtësisë. Sipas LDK-së, për shkak të ndikimeve politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorive po pamundësohet ndërtimin i një shteti ligjor.
Deputeti Arben Gashi i cili kryeson grupin e ekspertëve të kësaj partie për drejtësi në një konferencë për media tha se sistemi i drejtësisë është në gjendje të mjerueshme.
“LDK-ja vlerëson se proçesi i ligjbërjes gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 karakterizohet me propozim-ligje që përveç defekteve strukturore dhe përmbajtësore përballen edhe me probleme logjike dhe konceptuale. Situatë jashtëzakonisht e rëndë në aspektin e nxjerrjes së ligjeve paraqitet situata në ato raste ku propozim-ligjet që kanë shkuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe janë aprovuar në Kuvend nuk kanë qenë të buxhetuar”, është shprehur Gashi.
Sipas LDK-së, buxheti i shtetit ka mbetur pa buxhet sa i përket “Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve”, “Ligjit për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar në Çështje Penale” dhe “Ligjit për Ndihmë Juridike Falas”.
“Konstatohet se sistemi gjyqësor dhe sistemi prokurorial në Kosovë përballen me sfida të mëdha në aspektin e pavarësisë së tyre financiare, funksionale, por edhe operacionale. Si rezultat i ndërhyrjes së qeverisë në punën e gjyqësorit dhe të Prokurorisë, me qëllim të kontrollit politik, po ashtu edhe në aspektin e mungesave buxhetore të cilat janë pengesë kryesore në zhvillimin e kapaciteteve të brendshme të institucioneve të drejtësisë, kemi sistem gjyqësor dhe prokurorial joefikas dhe të politizuar”, theksoi Gashi.
Sipas LDK-së institucionet duhet të marrin masa urgjente. Gjithashtu LDK rekomandon të garantohet ndarja e pushteteve dhe të ndalohet urgjentisht ndërhyrja e qeverisë në punët e gjyqësorit dhe të prokurorisë, në mënyrë që të krijohet baza e qëndrueshme e punës profesionale.
Top Channel