Kriza, kohë e vështirë për biznesin

09/07/2011 08:20

Shitjet e biznesit të madh në Shqipëri u reduktuan me 38.5 për qind gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.

Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit është krijuar nga INSTAT në bazë të të dhënave të grumbulluara pranë ndërmarrjeve të mëdha përmes një vëzhgimi me përzgjedhje.

Ai pasqyron ecurinë e shitjeve të sektorëve prodhues të mallrave dhe shërbimeve, pra shitjet me shumicë.

Ndërtimi, shërbimet dhe transporti e telekomunikacioni shënuan rënie, ndërsa me rritje është vetëm industria nxjerrëse e përpunuese falë rritjes së prodhimit të naftës dhe të mineraleve.

“Në ndërtim, volumi i shifrës së afarizmit paraqitet me rënie 26.4 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2010 ky aktivitet paraqitet me rritje 9.0 për qind”, thuhet në njoftimin e INSTAT-it.

“Në sektorin e shërbimeve, ku përfshihen aktivitetet ekonomike tregti, hotele, transport, shërbime informatike dhe arkitekturore, në tremujorin e parë 2011 krahasuar me tremujorin e mëparshëm u shënua 18.5 për qind rënie dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm ka një rritje prej 3.4 për qind.

Në tregti, indeksi paraqitet me rënie 18.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2010 rritja është 3.9 për qind”, vijon më tej INSTAT.

Rënia e shitjeve të regjistruara në sektorin e hotelerisë, transportit e turizmit duket se bie ndesh me deklaratat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për “rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve të huaj”.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, paraqiten me rritje degët e industrisë nxjerrëse dhe përpunuese respektivisht prej 50.4 për qind dhe 28.3 për qind dhe rënie në energji elektrike, ujë 14.3 për qind”, thotë INSTAT.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA