Interesi mesatar i kredive në lekë dhe në valutë të dhëna nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri gjatë muajit maj, ishte shumë më i ulët se sa mesatarja e muajve të fundit, një situatë kjo krejt e kundërt nga pritshmëritë e ekonomistëve për kredi më të shtrenjta.
Interesi mesatar i kredive në lekë me afat maturimi 6-mujor, ra në 11.2 për qind, ndërkohë që në maj 2010, interesi mesatar ishte 15 për qind.
Me rënie ishte edhe interesi i kredive me afat maturimi deri në një vit, si dhe i kredive afatmesme që shlyhen brenda tre viteve.
Për kreditë afatgjata interesi ishte në rritje. Për kreditë në euro, shënohet rënie te interesi i kredive afatshkurtra, ndërsa qëndrojnë në të njëjtin nivel kreditë me afat shlyerje mbi gjashtë muaj.
Rritja e kredive të këqija, që për muajin prill mbërritën në një rekord të ri historik në masën 15.2 për qind të totalit të kredive të dhëna, së bashku me ngadalësimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, kishin krijuar përshtypjen mes specialistëve të fushës se interesat e kredive do të shtrenjtoheshin.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha: “Shumë aktorë ekonomikë presin që të rikthehen kushtet e periudhës së para krizës, që ata të jetojnë edhe një herë në atë lumë likuiditeti, që ta kenë po aq të lehtë garën e konkurrencës së brendshme dhe rajonale”.
Top Channel