Ligji duhet të jetë më e ashpër për ata që manipuluan me votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare, në Kosovë.
Dënimet për këta persona, e që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, sillen nga dënimet me gjobë, burgim me kusht, e deri të shlyerja e burgut me të holla, janë qesharake.
Kështu thotë Haki Demolli, i cili, kryeson komisionin kuvendor për ndryshimin e ligjit mbi zgjedhjet.
Prandaj sipas tij, do të shikohet mundësia që ligji i ardhshëm të jetë më i ashpër ndaj shkelësve.
Shifrat flasin për një numër të madh të personave të dënuar nga shkalla e parë dhe sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës deri më tani janë 93 persona të dënuar, ndërsa 239 të tjerë janë ende në proçedurë.
Në anën tjetër, sipas Demollit, janë duke u mbledhur vërejtjet nga organizmat vendorë e ndërkombëtarë që patën të bënin me zgjedhjet e fundit.
Kosova si një zonë zgjedhore, sipas Demollit, nuk ka paraqitur përfaqësim të duhur të të gjitha pjesëve të Kosovës, në Kuvend, prandaj pritet që në të ardhmen të ketë më shumë zona të tilla.
Listat e votuesve, votimi me kusht, pragu zgjedhor që tani është 5 përqind, dhe votimi nga jashtë Kosovës, janë probleme tjera të identifikuara si pasojë e sistemit zgjedhor.
Komisioni kuvendor për ndryshimin e ligjit mbi zgjedhjet ishte formuar muaj më parë, pas marrëveshjes ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit, për të tejkaluar krizën institucionale, pasi që Gjykata Kushtetuese kishte deklaruar se zgjedhja e Pacollit president nga ana e Kuvendit ishte jashtëligjshme.
Top Channel