Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi sot, në prani edhe të ministrit të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tre efektivë të kësaj force për mbështetjen që dhanë në përballimin e situatës së përmbytjeve në Shkodër vitin e shkuar.
Duke folur për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presdienti Topi tha se përmbushja e standardeve prej kësaj force është një garanci për anëtarësimin e sigurt të Kosovës në NATO.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që ndërtimi i institucioneve të reja të Kosovës, ku padyshim bën pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, do bëhet sipas të gjitha standardeve të NATO-s”, deklaroi Topi.
“Jam i bindur, sikurse e kemi shprehur edhe në takimet e karakterit politik institucional, me përfaqësues partnerë strategjikë të Shqipërisë, por edhe në takimet rajonale, jemi të bindur që me këtë progres që ju po realizoni, me këtë veprimtari, e cila nuk dallon fare nga profesionalizmi i Forcave të vendeve të tjera që janë për një kohë të gjatë pjesëtarë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë, na bën të ndjehemi krenarë, të jemi optimistë, që Kosova, institucionet e saj, juve, si përfaqësues të Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të jeni në një të ardhme patjetër me të drejta të barabarta krahas forcave të NATO-s. Unë jam i bindur që ky progres që vjen ditë pas dite, patjetër ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, theksoi Topi.
Top Channel