Kolegji rrëzon kërkesën e PS

08/07/2011 14:50

Për shkak edhe të administrimit një ditë më parë me cilësinë e provës
materiale të tabelave dhe materialeve filmike që fiksonin manipulimet e
pretenduara, socialistët u paraqitën një ditë më pas jo pa shpresë në
Kolegj.

Përvec rikthimit të cështjes së pavlefshmërisë në KQZ për shqyrtim në themel, socialistët i kishin kërkuar Kolegjit edhe shqyrtimin në themel prej vetë Kolegjit.

Kësisoj mundësitë ishin tri: ose t’ia kthente KQZ-së, ose ta shpallte vetë pavleshmërinë dhe kësisoj Tirana shkonte në përsëritje zgjedhjesh, ose të rrëzonte kërkesën.

Në një sallë plot, vendimi i shkurtër i lexuar nga relatorja Sashenka Jonuzi ishte vendimi i fundit që socialistët prisnin të dëgjonin. “Kolegji Zgjedhor, në bazë të nenit 153, pika 3 e Kodit Zgjedhor, rrëzon si të pabazuar në ligj dhe për shkak të tejkalimit të afateve kërkesën e PS”, ka deklaruar Jonuzi.

Në orën 13.30 Kolegji rrëzoi kërkesën e fundit ankimore për kryetarin e bashkisë së Tiranës, e depozituar nga Partia e Pensionistëve. Që nga ky moment Lulzim Bashës i duhet të marrë brenda 20 ditëve nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vërtetimin e mandatit. Neni 40 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore parashikon se shpallja e vlefshmërisë së mandatit bëhet në mbledhjen më të parë të Këshillit të Bashkisë, ku kryetari bën betimin.Kurse ushtrimi i mandatit fillon në çastin kur betohet.

Në rast se Këshilli Bashkiak ose komunal nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, atëhere është prefekti që organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në prani të banorëve të njësisë përkatëse. Mbledhja e radhës së KQZ-së për shpërndarjen e mandateve për Këshillin e Bashkisë Tiranë pritet të mbahet të hënën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA