Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se
marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë ndikojnë vetëm në zgjidhjen e
problemeve të qytetarëve.
Në një intervistë për “Radio Kosova”, Haxhinasto është shprehur se njohja e Kosovës nga Serbia është një cështje që i përket së ardhmes.
“Unë nuk do të flisja për njohje. Unë do të flisja për realizimin e disa marrëveshjeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Janë disa marrëveshje, të cilat zgjidhin disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit mes dy shteteve, si shteteve të pavarura. Cështja e njohjes i përket të ardhmes”, ka pohuar Haxhinasto.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka përjashtuar tezat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe ndarjen e saj me Serbinë.
“Teza të tilla për bashkim, për krijimin e një shteti të vetëm midis Kosovës dhe Shqipërisë, nuk janë aspak produktive, as për procesin e njohjes së Kosovës. As Serbia dhe as Shqipëria nuk janë pronarë të Kosovës që ta ndajnë atë si plackë tregu”, ka theksuar Haxhinasto.
Ai ka shtuar më tej se i rëndësishëm është zbatimi i formatit të tri “jo”-ve që paraprinë paketën e Marty Ahtisari para shpalljes së pavarësisë.
“Juve ju kujtohen tri “jo”-të: “Jo” në kthimin e gjendjes para 99-ës, “jo” bashkim dhe “jo” ndarje. Rruga më e mirë për të zgjidhur aspiratën e shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Europian”, ka nënvizuar Haxhinasto.
Top Channel