Reagime të mëdha në mediat greke kanë ngjallur ditët e fundit publikime në shtypin e vendeve fqinj si Turqia dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, sipas të cilave, individë të pasur nga këto shtete kanë shprehur gatishmërinë për të blerë ishuj apo sipërfaqe tokë në Greqi.

Madje deklaratat e një biznesmeni të pasur turk, në disa gazeta të Ankarasë, që shprehte dëshirën për të blerë tre ishuj në Egje dhe detin Jon, kanë bërë që dje, vetë zëdhënësi i qeverisë greke Ilias Mosialos, të deklarojë se Greqia nuk do të shesë ishuj që janë pasuri shtetërore, ndërsa edhe përsa u takon ishujve private do të nevojitet për t’u shitur leja e Ministrisë së Mbrojtjes për arsye të sigurisë kombëtare.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, faqja kryesore e gazetës “Dnevnik” të Shkupit ka sjellë një tjetër kokëçarje për Athinën dhe reagime në Greqinë e Veriut.

Sipas kësaj gazete, “Maqedonasit duan të bëhen pronare të Halkidhikisë”, zonës turistike në lindje të Selanikut.

Gazeta i referohet ligjit që ka ndryshuar në 22 qershor, i cili lejon qytetarët që nuk jetojnë në një vend anëtar të BE-së të kenë mundësi të blejnë tashmë shtëpi apo sipërfaqe toke në Greqi, çka ishte e pamundur deri dje.

Ky ndryshim, sipas gazetës, lejon maqedonasit të blejnë pasuri të patundëshme në Maqedoninë e Egjeut, pra në pjesën greke dhe sidomos në zonën turistike të Halkidhikise si dhe në Selanik.

Gazeta i referohet edhe deklaratës së konsullit të Maqedonisë në Selanik sipas të cilit ligji në fjalë është ndryshuar nga Evangjelos Venizelos që tashmë ndodhet në rolin e ministrit të Financave.

Publikime të tilla – theksojnë mediat vendase – krijojne një situatë akoma më të nderë në marrëdhëniet dypalëshë, ndërkohë që Athina dhe Shkupi ende nuk kanë zgjidhur çështjen shumëvjeçare të emrit të Maqedonisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA