Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se do të punojë për rrëzimin e Hashim Thacit nga pushteti, duke e akuzuar ashpër atë pas marrëveshjeve me Serbinë.

“Nëse shkohet kështu, në bisedime do të përfundojë edhe veriu i Kosovës. Ky njeri po e kryen punën e tij në mënyrën më të turpshme. Ai do të mbahet mend si një figurë e keqe. Por ne do punojmë për ta hequr këtë figurë”, ka deklaruar deputeti Glauk Konjufca.

Për Vetëvendosjen, prodhimi i targave të vjetra të Serbisë nuk bën gjë tjetër vecse ligjëron strukturat paralele në Kosovë.

“Është e papranueshme që një ministër të marrë një vendim të tillë. Gjithashtu, si ka mundësi që një kryeministër të marrë një vendim për një cështje kaq kapitale dhe politike?”, ka thënë deputeti tjetër Arton Molliqaj.

Më tej, Konjufca i ka vlerësuar si të kota edhe vizitat e kryeministrit Thaci në Bruksel, pasi sipas tij ato janë të kushtëzuara nga Beogradi.

“Thaci mund të udhëtojë në Bruksel vetëm për afërsinë e tij me Beogradin. Afërsia e tij me Brukselin është e kushtëzuar nga afërsia e tij me Beogradin”, ka pohuar Konjufca.

Top Channel