Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Countryman ka përshëndetur marrëveshjet e arritura në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për “RTK”, Countryman ka theksuar se këto marrëveshje nuk përbëjnë asnjë rrezik për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

“Më lejoni të jem shumë i qartë mbi atë që mendojnë SHBA. Ne kurrë nuk do të bënim dicka që do të inkurajonte Kosovën të angazhohej në një proces, ku të pranonte marrëveshje që do të cënonin pavarësinë, sovranitetin apo integritetin territorial të saj”, ka deklaruar Countryman.

Ai ka nënvizuar se në marrëveshjet e arritura me Beogradin nuk ka as edhe një fjalë të vetme që do të cënonte shtetin e ri të Evropës.

“Në këto marrëveshje nuk ka asnjë fjalë që kthen mbrapa progresin që Kosova ka arritur. Rreziku është zero! Nuk ka rrezik”, ka theksuar Countryman.

Zyrtari i lartë amerikan është shprehur ndër të tjera se marrëveshjet dypalëshe vetëm sa përmirësojnë jetën e qytetarëve të dy vendeve.

“Nuk mund ta teprojmë dhe të pandehim se këto marrëveshje do të zgjidhin të gjitha problemet, por janë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës”, ka pohuar Countrymen.

Më tej, zyrtari i DASH ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e ndarjes së Kosovës, duke theksuar se në Evropën e shekullit XXI nuk do të ketë ndryshim kufijsh.

Top Channel