Ndonëse deri të dielën rezultatet e arritura nga dialogu Prishtinë-Beograd kishin emrin “marrëveshje ndërshtetërore” mes Serbisë dhe Kosovës, kryeministri kosovar Hashim Thaci të mërkurën u vuri një emër tjetër.

Ai i quan “konkluzione”, të cilat janë arritur në tavolinën e dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Ndoshta kjo është mënyra e duhur për të shmangur ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës, edhe pse zoti Thaci nuk u përgjigj ndaj këtyre pyetjeve.

Cështja e publikimit të këtyre konkluzioneve ndërkaq duket se mbetet vetëm premtim i parealizuar i kryesuseses së dialogut EditaTahiri.

“Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Parlament, por këto janë konkluzione dhe Parlamenti i Kosovës i ka dhënë qeverisë mbështetje të plotë për nxjerrjen e tyre. Parlamenti i ka konkluzionet, edhe zyrtarisht, ashtu si dhe presidenca. Gjithcka do të mbetet transparente”, deklaroi Thaci.

Në konferencën e organizuar për gazetarë, e cila në të njëjtën kohë u shfrytëzua edhe për kafe, kryeministri Thaci shpalosi detaje të konkluzioneve, por edhe pasi u pyet disa herë nuk sqaroi se cili institucion do t’i prodhojë targat e vjetra KS.

Ai insistoi se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë me dokumente të shtetit të Kosovës, pavarësisht se kjo është hedhur poshtë disa herë nga zyrtarët serbë.

“Qytetarët e Kosovës do lëvizin me dokumenta, por edhe me të gjitha aspektet e tjera përcjellëse të shtetësisë së Kosovës”, nënvizoi Thaci.

Kryeministri me theks të vecantë foli për njohjen e diplomave universitare të studentëve të Lugines së Preshevës.

Por u ndal edhe të lëvizja e mallrave pavarësisht se eksporti i mallrave nga Kosova në Serbi prej dy vitesh është i bllokuar nga Serbia.

Zoti Thaci nuk dha një përgjigje të qartë as as për pyetjen se pse pala kosovare ka pranuar t’i marrë kopjet regjistrave civil dhe jo dokumentet origjinale, ato të cilat i ka konfiskuar Serbia në vitin 1999. “Do të jetë edhe kosovare e ndërkombëtare në këtë proces”, shtoi Thaci.

Kjo konferencë u mbajt pas mbledhjes së qeverisë. Në këtë takim të kabinetit, kryeministri Thaci përshëndeti rezolutën e Organizatës së Konferencës Islamike e cila në sesionin e 38-të të këshillit të ministrave të Jashtëm ftoi vendet anëtare të OKI-së që të marrin në konsideratë njohjen e Kosovës.

Top Channel