Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, për herë të parë ka vizituar Sarajevën në një vizitë zyrtare si president.

Tadic ka takuar shefin e diplomacisë boshnjake, Sven Allkallaj dhe tre anëtarët e presidencës së Bosnjës.

Ky konsiderohet si një fillim i ri i Bosnjës dhe Serbisë, ndërsa zyrtarët boshnjakë kanë thënë se kjo është me rëndësi për të dyja vendet pasi në vazhdimësi Serbia ka bashkëpunuar vetëm me entitetin e Republikës Serbe të Bosnjës.

Pas takimit me anëtarët e presidencës, Bakir Izetbegovic, Nebojsha Radmanovic dhe Zheljko Komshic, delegacionet e të dyja vendeve janë takuar për të biseduar për të ardhmen.

Tadic është pritur me ceremoni të veçanta në vizitën e tij në qytetin ku edhe ka lindur dhe kthehet si president. Presidenti serb është ftuar edhe për të marrë urdhërin e nderit të Nismës Evropiane të Bosnjës.

Ndërkaq, në Republikën Serbe janë neutralë sa i përket kësaj vizite, pasi simpatia për Tadic është zvogëluar që nga arrestimi i gjeneralit Ratko Mlladic, për të cilën presidenti konsiderohet fajtor i tradhtisë më të madhe.

Bosnja dhe Serbia deri tani nuk kanë pasur marrëdhënie të mira edhe për shkak të shumë proceseve gjyqësore dhe akuzave të ndërsjella pas luftës së rënd me 100 mijë viktima.

Top Channel