Hetuesia dhe Prokuroria e Kosovës po punojnë në baza selektive. Madje, ato po përdoren nga qeveria si instrumente për të arritur efekte politike.

Kështu thonë zyrtarë të komunës së Prishtinës, duke folur për cështjen e 6 zyrtarëve të kësaj komune, ndaj të cilëve Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë, me arsyetimin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjashtë zyrtarët e komunës janë akuzuar më parë për çështjen e ndërtimit të kolektorit atmosferik në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, ndërsa Auditori, pagimin e shumës prej 846 mijë eurove e ka cilësuar si paradhënie për operatorin ekonomik.

Duke folur për këtë raport, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, ka thënë se pajtohen në parim me vlerësimit e auditit, me përjashtim të pjesës ku flitet për kolektorin, për të cilin Auditori nuk e ka përfunduar vlerësimin e tij.

“Auditori nuk e ka përmbyllur opinionin për kolektorin, edhe pse ne kemi ofruar evidencën e nevojshme që tregon se ka qenë një nismë tërësisht ligjore”, ka deklaruar Hoti.

Ditë më parë Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për 6 komunarët për shkak të shumës së paguar, e që sipas Prokurorisë kjo nuk ishte parashikuar me kontratë dhe ishte në kundërshtim me ligjin mbi Prokurimin Publik.

Sipas nënkryetarit të Prishtinës, z. Hoti, Auditori ka gjetur raste skandaloze në komunat e tjera të Kosovës të keqpërdorimit të parasë, por ende nuk ka ndonjë hetim ndaj tyre.

Top Channel