Teksa në zyrën e kryeministrit kosovar mbahej një takim ndërmjet gazetarëve dhe kryeministrit Hashim Thaci, veteranët e luftës së UCK-së po kalonin diten e 45-të të grevës pak metra larg objektit të kryeministrisë.

Greva më e gjatë e mbajtur mend pas luftës duket se nuk i ka rënënë sy kryeministrit kosovar. Megjithëse kishte qenë udhëheqës i dikurshëm i veteranëve, as në mbledhjen e rregullt të kësaj jave të kabinetit nuk u diskutua për ta.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e grevistëve po rëndohet çdo ditë e më shumë, saqë njëri nga ata gjendet për mjekim në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

“Pothuajse cdo veteran është dashur të trajtohet nga mjeku. Gjendja e tyre është shumë e rëndë, e ndikuar nga temperaturat që ndryshojnë cdo ditë dhe mosha e tyre. Natën e fundit 4 persona janë trajtuar nga mjeku, ndërsa njëri është derguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë pasi ishte në gjendje të rëndë”, deklaron Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit të Grevistëve.

Me gjithë gjendjen e rënduar shëndetësore, veteranët e luftës duket se janë të vendosur t’i mbushin edhe më shumë se 100 ditë të grevës.

“Po presim nga qeveria dicka. Janë bërë premtime dhe ne presim që sa më shpejt të miratohet ligji”, thotë Qerim Asllani, veteran nga Skënderaj.

Tani e 45 ditë veteranët e luftës së UCK-së janë futur në grevë dhe kërkojnë nga qeveria ta kompletojë ligjin për veteranët dhe ta dërgojë për miratim në Kuvend.

Top Channel