Bankat më të mëdha të Eurozonës pritet të takohen sërish në Paris sot, në një përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet me autoritetet politike të kontinentit mbi mënyrat dhe përmasat e pjesëmarrjes së sektorit privat në një plan shpëtimi për Greqinë.
 

Sipas planit aktual, bankat do të pranojnë të riinvestojnë gjysmën e bondeve greke që posedojnë aktualisht në bonde 30- vjeçare. Këto bonde pritet që të maturohen gjatë tre viteve të ardhshme bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Nën direktivën e Presidentit francez, Nicolas Sarkozy, bankat e kontinentit kanë pranuar të marrin përsipër një pjesë të kostos së shpëtimit të Greqisë nga falimenti.
 
Sipas planit aktual, bankat do të pranojnë të riinvestojnë paratë e veta përkundrejt një interesi maksimal prej 8 për qind, interes ky shumë më i ulët nga sa kërkohet nga investitorët e tjerë.
Analistët po bëjnë aktualisht llogaritë se çfarë mund të ndodhë nëse Greqia shpallet e falimentuar.

Komplikimet për ekonominë botërore pritet të jenë të shumta. Bankat dhe kompanitë e sigurimit në Europë dhe Amerikë, që kanë lëshuar “garanci kundrejt falimentit” rrezikojnë të falimentojnë bashkë me Greqinë.

Top Channel