“Flota e Lirisë 2” nuk lejohet të niset drejt Gazas

06/07/2011 23:05

Anija “Stefano Chiarini” është më e madhja nga dhjetë anijet e Flotës së Lirisë numër 2 që kërkon të lundrojë drejt Rripit të Gazës për të cuar barna dhe ndihmë humanitare.

65 pasagjerët e saj, aktivistë nga Gjermania, Britani, Italia Holanda dhe Zvicra protestojnë para saj pasi kanë katër ditë që nuk po marrin dot lejen e autoriteteve portuale të Korfuzit, të cilat pretendojnë se anija nuk është në gjendje të mirë teknike për lundrim.

Pas bllokimit të “Guximi i Shpresës” ditën e premte, dje një anije franceze në portin e Pireut si dhe një kanadeze në një port të Kretës nuk janë lejuar nga autoritetet vendase të lundrojne drejt Gazës në një përpjekje të dytë brenda një viti të aktivistëve nga e gjithë bota për të thyer bllokadën izraelite që mban të rrethuar nga deti, ajri dhe toka Rripin e Gazës për mëse pesë vjet.

Qeveria greke ka deklaruar se vendimi i saj për bllokimin e anijeve në portet vendase është cështje e sigurisë së jetës së vetë aktivistëve.

“Ne besojmë që duhet të thyhet bllokada e Gazës, ne besojmë se duhet të përmirësojmë situatën humanitare dhe po punojmë për këtë. Por duhet të kuptoni  gjithashtu gjithë rreziqet reale për aktivistët vetë dhe për stabilitetin në rajon. Kjo është arsyeja që Kombet e Bashkuara, gjithë organizatat e tjera si dhe komuniteti ndërkombëtar kanë marrë këtë pozicion”, thotë Grigoris Delavekuras, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke.

Greqia ndodhet tashmë përballë një presioni të dyfishtë ndërkombëtar, nga njëra anë Izraeli dhe Kuarteti për Paqen në Lindjen e Mesme që kërkojnë ndalimin e anijeve dhe nga ana tjetër përkrahës të cështjes palestineze nga e gjithë bota. Athina zyrtare ka vendosur të ndërmarrë një iniciativë politike duke u bërë ndërmjetëse për të cuar ajo vetë në bashkëpunim me OKB ndihmën humanitare drejt Gazës.

Anëtarë të kabinetit qeveritar kanë zhvilluar bisedime me funksionarë të lartë të organizatës dhe udhëheqësit e BE-së  ndërsa kryeministri Papandreu, pas deklaratës së ashpër të organizatës Hamas ndaj qeverisë greke, ka biseduar në telefon me presidentin palestinez, Mahmud Abas.

Top Channel